I ndalohet hyrja në Kosovë, ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin

Autoritetet e Prishtinës i ndaluan hyrjen në Kosovë, ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin, i cili kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në një tubim të serbëve në kremtimin e 629 vjetorit të betejës së Kosovës, e njohur si “Vidovdani serb”. Sikurse komunikohet, ministrit Vulin iu ndalua hyrja në Kosovë për shkak “të deklaratave nxitëse në raport me Kosovën”. Mirëpo, kësaj radhe hyrja në Kosovë nuk iu ndalua shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe ministrit serb të Arsimit, Mlladen Sharçeviq, të cilët sikurse njoftojnë mediet lokale serbe, qëndruan në veri të Mitrovicës. Në një komunikatë për medie të lëshuar nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë thuhet, se ndalesa që i është bërë ministrit Vulin që të hyjë në Kosovë, “është një veprim skandaloz i Qeverisë së Kosovës”.

“Është e qartë që një vendim i tillë është sjellë në koordinim ndërmjet Prishtinës dhe Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, me qëllim që ta poshtërojnë Serbinë”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, transmeton DW.

Ndërkohë, Jetlir Zyberaj, Këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, shkroi në një postim në Facebook se “Policia e Kosovës do të zbatojë ligjin në rast të futjes ilegale të kujtdo në territorin e Kosovës”, duke aluduar në hyrjen eventuale në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale të ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandër Vulin. Muaj më parë nëpërmjet rrugëve ilegale pati hyrë në Kosovë pas një ndalese nga qeveria e Prishtinës, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, por ai u arrestua nga policia dhe u dëbua nga Kosova, situatë kjo që nxiti tensionet në veri të Kosovës dhe një valë reagimesh nga Serbia dhe më gjerë.

Sidoqoftë, një numër jo i madh i serbëve të Kosovës, por edhe të atyre që kanë ardhur nga Serbia, u mblodhën në Gazimestan, jo larg Prishtinës për të shënuar betejën e Kosovës, apo Vidovdanin serb.

Në Gazimestan, por edhe në rrugët që çojnë për në Mitrovicë vërehen forca të shtuara të Policisë, ndonëse situata paraqitet e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. Serbët e mbledhur në Gazimestan mbajnë në duar flamuj të Serbisë dhe Rusisë. Zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e Veriut të Kosovës, Besim Hoti, tha, “situata është e qetë dhe nën kontrollin e plotë të policisë. Forcat e shtuara të Sigurisë po i shoqërojnë automjete që vijnë nga Beogradi për në Gazimestan, për të  siguruar që mos të ketë ndonjë incident. Ndërsa, sa i përket Aleksandër Vulin-it, ai nuk vjen në Kosovë, sepse i është refuzu kërkesa nga qeveria”, tha Besim Hoti.

Kosova dhe Serbia tash e më shumë se pesë vjet zhvillojnë dialog për përmirësimin e marrëdhënieve. Ndër marrëveshjet e para është edhe liria e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve, ndërsa, sa i përket vizitave të zyrtarëve të lartë të Serbisë në Kosovë, ato duhet të njoftojnë paraprakisht, që t’u lëshohet leje e posaçme nga qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button