Zaev-Moravjecki: Mbështetje të fuqishme nga Polonia, Maqedonia t’i fillojë negociatat me BE-në (VIDEO)

Kryeministri Zoran Zaev kishte mëngjes pune me kryeministrin polak Mateus Moravjecki, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Pas mëngjesit të punës të delegacioneve qeveritare të të dy shteteve, kryeministrat Zaev dhe Moravjecki kishin deklaratë për mediat.

Moravjecki, në konferencë të përbashkët shtypi me Zaevin pas mëngjesit të punës të të dy delegacioneve, u falënderua që me vizitën e Zaevit, për herë të parë pas 25 viteve nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve, realizohet takim i nivelit të kryeministrave.

Kryeministri polak shprehu mbështetje për integrimet euroatlantike të Maqedonisë. Ai uroi për marrëveshjen e arritur me Greqinë, që, siç tha, hap mundësi që të fillojnë bisedime për inkuadrim të Maqedonisë në BE. Ai shtoi se Polonia e mbështet Maqedoninë edhe në integrimet në NATO, që, siç tha, do të jetë mirë edhe për sigurinë në këtë pjesë të Evropës.

Zaev në deklaratë fillimisht, në emër të qytetarëve dhe të Qeverisë së RM-së, uroi 100-vjetorin nga kthimi i pavarësisë së Republikës së Polonisë, që vendi e shënon këtë vit.

“Dua t’i falënderohem kryeministrit Moravjecki, Qeverisë së Polonisë dhe qytetarëve të Polonisë, për mbështetjen e çmueshme në integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, në momentet kyçe kur kjo ishte e nevojshme për qytetarët e tanë”, tha Zaev.

Theksoi se mbështetja nga Polonia për negociata për inkuadrim në BE dhe ftesë për anëtarësim në NATO, posaçërisht pas marrëveshjes historike që e arritëm me Greqinë, është shumë e rëndësishme për Maqedoninë, nëse merret parasysh se vjen në momente para Samitit të Këshillit të BE-së, në të cilin vendi pret të konfirmohen lajmet pozitive për fillim të negociatave me BE-në.

“Vendimi për hapje të negociatave inkuadruese të Maqedonisë me BE-në dhe ftesa nga Aleanca për hyrje të Maqedonisë në NATO, do të thotë siguri dhe stabilitet më të madh të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Evropës dhe botës”, vlerësoi Zaev.

Sipas tij, lajmet e mira për integrimet e hapura euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, janë mesazh i fuqishëm edhe deri te vendet e rajonit, se politikat reformuese dhe përcaktimi drejt mbylljes së çështjeve bilaterale njihet dhe vlerësohet nga BE-ja dhe NATO-ja.

“Me këtë, kemi edhe motiv të fuqishëm që të qëndrohet në rrugën e proceseve demokratike që vetëm çojnë drejt botës më të qetë dhe prosperuese”, tha kryeministri Zaev.

Ai theksoi se “për Maqedoninë dhe për rajonin, integrimet euroatlantike do të thonë edhe zhvillim ekonomik”.

“Me mundësinë e integrimit të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE, numri i investuesve të interesuar të huaj çdo ditë po rritet, ndërsa është motivuar edhe ekonomia vendore që në mënyrë plotësuese të investohet, për çka si Qeveri japim mbështetje të fuqishme.

Theksoi se i ka kumtuar kryeministrit Moravjecki se Qeveria e Republikës së Maqedonisë është orientuar drejt përmirësimit të klimës afariste dhe kushteve të punës, dhe mbështetje, në mënyrë të njëjtë për kompanitë vendore dhe të huaja.

“Edhe në këtë drejtim duam ta thellojmë bashkëpunimin ekonomike me Poloninë, i cili, shikuar përmes rritjes së këmbimit tregtar, shënon lëvizje pozitive dhe jep shanse për suksese më të mëdha ekonomike”, tha kryeministri Zaev.

Ai theksoi në mundësinë për bashkëpunim në pjesën e prodhimtarisë së autobusëve elektrik dhe traktorëve, si dhe pajisje për mbrojtjen e ARM-së.

“Vendosja e linjës së drejtpërdrejt ajrore Shkup-Varshavë-Shkup, nga 1 qershori, gjashtë ditë në javë kontribuon për bashkëpunim më intensiv ekonomik, turistik dhe lloje të tjera të bashkëpunimeve.

Në mëngjesin e punës është biseduar më konkretisht për rritje të tregtisë, për zhvillim të marrëdhënieve ekonomike, për bashkëpunim më të afërt në mbrojtje, si dhe në sfera të tjera në interes të qytetarëve të së dy shteteve.

Maqedonia ka miq të sinqertë në Evropë, Polonia është një prej miqve më të mëdhenj të shtetit tonë, për çka i falënderohemi, tha edhe në mëngjesin e punës dhe në deklaratën e kryeministrit Zaev, kolegut të tij polak Moravjecki.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button