Pakistani përballet me mungesë të madhe të ujit

 Pakistani po përballet me mungesë akute të ujit të shkaktuar nga rënia drastike e nivelit të ujit në shumë pjesë të vendit, i cili për nga numri i popullsisë radhitet i gjashti në botë, raporton Anadolu Agency (AA).

Liqeni Rawal është tharë pothuajse tërësisht, ndërsa ky është rezervuar artificial nga i cili furnizohet me ujë kryeqyteti i Pakistanit, Islamabadi dhe qyteti fqinj Rawalpindi.

“Niveli i ujit të liqenit është plotësisht i varur nga niveli i ujit të lumit Korangi, i cili pothuajse është tharë plotësisht për shkak të mungesës së reshjeve. Ne shpresojmë se shirat mosun do të fillojnë muajin e ardhshëm dhe do të rrisin nivelin e ujit”, tha zyrtari i administratës lokale i ngarkuar për mbrojtjen e liqenit Rawal.

Shumica e burimeve të ujit të pijshëm në dhe rreth Islamabadit janë tharë, ndërsa banori i kryeqytetit pakistanez Sultan Khan thotë se popullsia është e detyruar që ujin e pijshëm dhe të gjitha gjërat tjera të nevojshme t’i blejë në markete.

Shumë banorë të Islamabadit dhe qytete të tjera pakistaneze në oborre gërmojnë puset ose bëjnë rezervuaret e tyre për të siguruar burime të përkohshme me ujë.

Mungesa e ujit prej disa javësh tashmë ka zbrazur shumicën e këtyre burimeve. Ekspertët thonë se kriza do të zgjidhet vetëm me ardhjen e sezonit të shirave mosun.

“Në rastin më të mirë, sezoni i shirave mosun do të fillojë në fund të korrikut. Kjo do të rrisë nivelin e ujit, por deri atëherë është kritike”, tha drejtori i Institutit Meteorologjik, Mushtaq Shah.

Niveli i ujit në Islamabad në këtë kohë të vitit rregullisht bie mesatarisht me një metër, ndërsa në provincën jugore të Baloçistanit gjendja është shumë më e keqe, pasi nivelet e ujit bien deri në 6 metra.

Në vitet e fundit, nivelet e ujit janë zvogëluar në mënyrë drastike në 26 nga 43 liqenet të cilat shëbejnë për furnizim me ujë në Pakistan.

Eksperti nga Islamabadi, Wali Yousafzai paralajmëron se kriza në Pakistan është një problem në rritje për shkak të rritjes së popullsisë, ndryshimeve klimatike dhe infrastrukturës joadekuate.

Ujësjellësi i Pakistanit (WAPDA) javën e kaluar kërkoi nga parlamenti të marrë masat e nevojshme për zbutjen e krizës së tanishme.

“Shteti duhet të marrë masa për të përmbushur nevojat e njerëzve në kulmin e rritjes së popullsisë, ndërsa në radhë të parë të rivendos dhe të hapë rezervuarë të rinj të ujit”, tha drejtori i WAPDA-s Munammil Hussain në fjalimin e javës së kaluar në Senat në Islamabad.

Në prill të këtij viti, autoritetet pakistaneze miratuan për herë të parë një politikë të furnizimit me ujë, e cila parasheh që të ndahen 10 për qind të buxhetit të zhvillimit kombëtar për këtë fushë dhe kjo shumë të dyfishohet në 12 vitet e ardhshme. Gjithashtu është paralajmëruar edhe ndërtimi i digës Diamer-Bash në veri të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button