Çka konkretisht fitoi Maqedonia nga Brukseli për marrjen e datës për bisedime në qershor të vitit 2019

Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian që në qershor të vitit 2019-të, Maqedonia të marrë datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian nëse Maqedonia i plotëson disa kushte është hap pozitiv dhe i njëjti dallon nga rekomandimi i Komisionit Evropian (KE) pasi që tani vetëm se kanë filluar procedurat për fazën përgatitore e cila merr kohë rreth 1 vit.
Kështu vlerësojnë profesori universitar, Mersel Bilalli dhe përfaqësuesi i Qendrës për Strategji Evropiane “Eurothink”, Andreja Stojkovski, në lidhje me atë se ku është dallimi mes vendimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe rekomandimeve të mëparshme të Komisionit Evropian, shkruan Portalb.mk.

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

“Vite me radhë Komisioni Evropian Maqedonisë i ka dhënë rekomandim të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve, pra KE-ja, si Qeveri e Evropës jep rekomandim – nuk sjell vendim. Tani kemi situatë të re, e kemi Këshillin e Bashkimit Evropian apo Këshilli Ministror që e përbëjnë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së dhe kemi Këshillin Evropian që e përbëjnë liderët, pra shefat e shteteve i cili do të ndodhë ditët e ardhshme, megjithatë ajo që vendoset në Këshillin e Ministrave, ajo mbetet edhe në Këshillin e Liderëve. Tani është caktuar se kur startojnë bisedimet, pra caktohet muaji qershor i vitit 2019 dhe natyrisht potencohen edhe çështjet të cilat duhet që të përmbushen, ato janë reformat (administratë, gjyqësi etj.) dhe finalizimi i çështjes së emrit, që nënkupton referendumi dhe ndryshimet kushtetues. Në kushte Ballkanike, nuk kisha pritur që opozita ta lavdëron këtë, por ai që e njeh situatën ky është një hap shumë i madh në këtë drejtim, edhe pse bëhet fjalë për një vit më vonë. Por edhe sikur të kishte vendim që menjëherë të fillojnë bisedimet, realisht 1 vit efektivisht nuk mund të fillohen bisedimet pasi që kemi kornizë biseduese, e cila merr 3,4 muaj dhe “screening”-u i cili merr 7-8 muaj, pra edhe sikur vendimi të ishte bërë menjëherë, ne para 1 viti nuk do të mundeshim t’i fillojmë bisedimet. Kështu që për mua është një hap shumë i madh”, vlerëson për Portalb.mk, Bilalli.

Andrea Stojkovski
Andrea Stojkovski

Edhe Stojkovski nga Eurothink ndan mendimin se ky është moment pozitiv për Maqedoninë, ndërkaq sipas tij, dallimi mes rekomandimeve të KE-së për fillimin e bisedimeve dhe vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, është që më parë, KE-ja ka dhënë rekomandim, ndërkaq Këshilli vetëm e ka prolonguar, ndërkaq tani KE-ja ka dhënë rekomandim, ndërkaq Këshilli ka sjell vendim.

“Atë që e kemi pasur deri më tani dhe atë që e kemi tani bëhet fjalë për fazë të ndryshme në proces. Deri më tani kemi folur për rekomandim të Komisionit Evropian, tani flasim për datë për fillim të bisedimeve, gjegjësisht për fillim të bisedimeve. Deri më tani, ka ekzistuar, rekomandim i Komisionit, por gjithmonë vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian ka qenë se e noton, se ekziston rekomandim i Komisionit, por për vendimin e fillimit të bisedimeve do të vendosë në ndonjë rast tjetër – pra ky është dallimi thelbësor. Tani nuk do të vendos për fillim të bisedimeve, por plotësisht do të vendos vetëm për datën kur bisedimet do të fillojnë dhe formalisht me konferencën ndërqeveritare. Përparësia është se në këtë moment do të fillojnë të gjitha procedurat dhe përgatitjet edhe në shtet edhe në BE, do të fillojë procesi i “screening”, gjegjësisht analiza e thelluar për gjendjet në legjislativ, funksionimin e institucioneve etj., dhe me atë incizim të thelluar do të konstatohet se si janë kapacitetet e shtetit për marrjen dhe implementimin e obligimeve të anëtarësimit. Maqedonia duhet të fillojë të përgatitet që me ekipin e saj negociues dhe me pozitat negociuese për çdo kapitull”, thotë për Portalb.mk Stojkovski.

Bilalli dhe Stojkovski, janë optimist se në qershor të vitit të ardhshëm, Maqedonia do të fitojë datë për fillimin e bisedimeve hyrëse për BE, nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, gjegjësisht, nëse nuk ka ngecje serioze në fushën e reformave.

Çfarë kërkon BE-ja nga Maqedonia, që në qershor t’i japë datë për fillimin e bisedimeve?

konkluzat e publikuara nga Këshilli i BE-së, në pjesën për Maqedoninë shkruan se “qëndrueshmëria e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë edhe marrëveshjen bilaterale për çështjen e emrit në korniza të OKB-së, është e rëndësisë thelbësore. Këshilli fuqishëm e përshëndet marrëveshjen për kontestin për emrin me Greqinë, dhe se me padurim pret ratifikimin dhe zbatimin e së njëjtës.

Këshilli, gjithashtu, e ka përshëndetur edhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe e ka  theksuar rëndësinë e zbatimit të tij në vazhdimësi. Këto dy hapa të mëdhenj të cilët janë bërë duhet që të nënkuptojnë edhe përfundim efektiv të çfarëdo lloj vlerësimi të cilat deklarohen në bazë të interpretimit të gabuar të historisë. Duke e pasur parasysh atë, veçmas zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, Planit për Reforma Urgjente dhe Marrëveshjen me Greqinë, Këshilli pajtohet që t’i përgjigjet pozitivisht avancimit dhe të vendos rrugë drejt hapjes së bisedimeve hyrëse në qershor të vitit 2019”, transmeton Portalb.mk.

Sipas kësaj, Këshilli e ka theksuar nevojën që vendi të vazhdojë me zhvillim konkret në reformat prioritare dhe ka porositur që të ketë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit. Këshilli e ka ftuar Komisionit që nga afër t’i vëzhgojë përpjekjet reformuese dhe ta vlerësojë progresin në raportin e Komisionit në fillim të vitit. Varësisht nga rezultatet e arritura, konferenca ndërqeveritare, porositë Brukseli zyrtar, duhet që të mbahet deri në fund të vitit 2019, ndërkaq deri më atëherë Këshilli e ka ftuar Komisionin Evropian që të fillojë me përgatitjet për hapjen e bisedimeve.

Bashkimi Evropian

Këshilli thekson se ky vlerësim i progresit duhet të përfshijë rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme, duke u fokusuar veçmas në:

  • Reforma gjyqësore dhe hetime, akuza dhe aktvendime përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçmas në nivel të lartë;
  • Reforma në shërbimet e sigurisë;
  • Reforma në administratën publike.

Në konkluzë, sundon pranimi dhe përshëndetja e reformave të bëra, por theksohet se patjetër duhet që të vazhdojnë të njëjtat. Këshilli e përshëndet atë që vendi e ka tejkaluar krizën e thellë politike dhe atë që nga maji i vitit 2017-të, madje edhe në kontekst të rëndë politik, Qeveria e re ka bërë hapa të rëndësishëm dhe është kthyer në kulturën e kompromisit me atë që do të përfshihen të gjitha palët, përfshirë edhe opozita, me qëllim të përforcimit të demokracisë dhe sundimit të së drejtës, shteti të tregojë vullnet të vërtetë për reforma dhe të sillet me fqinjët e saj në frymën e fqinjësisë së mirë. Këshilli rikujton në rëndësinë që të vazhdohet me konstatimin e përgjegjësisë për aktivitetet e paligjshme të cilat dalin nga përgjimet e paligjshme, por edhe të ketë përgjegjësi për 27 prillin e vitit 2017, gjegjësisht për sulmin e dhunshëm në Kuvend.

Këshilli i inkurajon të gjitha partitë që të kenë dialog në kontinuitet dhe të vazhdojnë me reformat aktuale, para se gjithash në fushat kyçe të sundimit të së drejtës, siç janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në gjyqësor, lufta kundër radikalizmit dhe terrorizmit dhe reformat në shërbimet e sigurisë. Gjithashtu theksohet edhe rëndësia nga depolitizimi i administratës publike në të cilën do të ketë avancim sipas meritave, reformat zgjedhore, lirinë e mediave dhe përforcimin e vëzhgimit të pushtetit ekzekutiv.

NATO pret të nisë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button