fbpx

“Zonja e çeliktë” zvicerane në përkrahje të shqiponjës dykrenare

Dhjetë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia.
Këshilltarja e vjetër federale Micheline Calmy-Rey (72) ishte një avokat i hershëm dhe i vendosur për kosovarët dhe tani, reputacioni i tyre është relativisht i lartë. Në një intervistë me “SonntagsBlick”, Calmy-Rey përkujton rolin e Zvicrës në formimin e shtetit të ri dhe spjegon lidhjet e ngushta të Zvicrës me Kosovën, njofton Albinfo.ch.
Atë që ajo nuk e kupton fare, janë kritikat ndaj lojtarëve të Kombëtares zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pas ndeshjes së tyre fitimtare në Kaliningrad.
Për hir të saktësisë autoriale, intervistën po ua sjellim të plotë.
Znj. Calmy-Rey, ekipi kombëtar zviceran fitoi të premten kundër Serbisë. A e keni ndjekur lojën?
Micheline Calmy-Rey: Jo, por rezultati më bëri shumë të lumtur.
Golashënuesit  zviceranë me rrënjë kosovare, Xhaka dhe Shaqiri, gjatë festimit bënë një gjest që simbolizonte shqiponjën dykrenare shqiptare. Për këtë, ata menjëherë morën kritika të rënda. Si e gjykoni gjestin e të dyve?
Si mund të definohesh më besnik se sa nëpërmjet shënimit të golave për Zvicrën? Askush nuk mund t’i detyrojë ata të hedhin nga dritarja origjinën dhe të kaluarën e tyre. Që të dy lojtarët janë zviceranë, por rrënjët e tyre janë në Kosovë dhe kjo nuk është aspak kontradiktore. Sidomos jo në Zvicër.
Çfarë do të thotë?
Unë kam lindur në Valais dhe u bëra një politikane në Gjenevë. Dhe unë jam e të dyjave: Si e Valisit, ashtu edhe e Gjenevës. Kjo nuk bie aspak në ndonjë kundërshtim.
Ju keni luajtur një rol qendror në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Zvicra ishte e rëndësishme. Ne ishim vendi i parë që filloi një diskutim mbi statusin e Kosovës. Bile, që në vitin 2004. Për vite të tëra Zvicra ka qenë e angazhuar për uljen e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës. Kur u bë e qartë se nuk ishte i mundur asnjë përparim në këto bisedime, ngritëm çështjen e statusit të Kosovës në OKB. Pastaj pasoi një proces i gjatë, i udhëhequr nga OKB. Ky proces përfundoi në vitin 2008 me një shtet të pavarur.
E cila u njoh shpejt nga Zvicra ?!
Jo. Komisioni i Politikës së Jashtme dhe Këshilli Federal fillimisht duhej të pajtoheshin. Ne e kemi njohur Kosovën në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera europiane.
Sa janë të afërta marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Kosovës?
Shumë të ngushta. Dhjetë për qind e kosovarëve jetojnë në Zvicër. Kur jam në Kosovë, shoh shumë makina me targa zvicerane. Disa madje thonë se Kosova është kantoni i 27-të i Zvicrës. Zvicra është ende shumë e pranishme atje: me ushtarët e KFOR-it dhe projektet e zhvillimit të DEZA-s.
Çfarë rëndësie ka Kosova për ju personalisht?
Ne jemi toka e William Tellit. Mua më ka prekur lufta e lirisë së këtij populli. Veçanërisht me njerëzit e diasporës kosovare në Zvicër, kam shumë takime të mrekullueshme. Ndonjëherë, kur hipi në taksi, shoferi thotë: “Zonja Calmy-Rey, nuk duhet të paguani asgjë, unë jam nga Kosova.
” Në disa udhëtime në Kosovë, ndihem e respektuar si Nënë Tereza (qeshet). Por kjo tregon vetëm se çfarë rëndësie të madhe ka pasur aktiviteti i Zvicrës zyrtare dhe ende ka në Ballkan.
Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close