Nobelisti Ferid Murad mori pjesë në hapjen e konferencave shkencore në Universitetin e Tetovës

Në Universitetin e Tetovës filluan punimet e Konferencës IV Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara  si dhe Konferencës II Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Në hapjen solemne të këtyre konferencave i pranishëm ishte edhe nobelisti si dhe laureati  i  titullit Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës (2012) Ferid Murad, njoftojnë nga Universiteti i Tetovës.

Punimet e konferencave i shpalli të hapura Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se organizimi i konferencave të lartpërmendura, sot ka të tjera përmasa, ka më shumë peshë shkencore, është edhe më dinjitoze, më madhështore, sepse me praninë e tij Universitetin e Tetovës e ka nderuar njëri nga personalitetet e ndritura të kohës së sotme nga fusha e mjekësisë dhe farmakologjisë, prejardhja e të cilit është pikërisht nga vendi ynë, eruditi dhe nobelisti Prof. Dr. Ferid Murad, Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, i laureuar në vitin 2012, në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. “Sot jemi të nderuar me praninë Tuaj në Universitetin tonë dhe pafundësisht jemi krenarë që emri Juaj përfaqëson njërin nga dijetarët më të mëdhenj dhe më të respektuar në nivel botëror dhe njëherit e begatoni rrethin e personaliteteve të mëdha të familjes së Universitetit të Tetovës. Arritjet dhe sukseset e nobelistit, Prof. Dr. Ferid Muradit, kontributi i tij i gjithanshëm, puna kërkimore-shkencore, veprimtaria profesionale, aplikative dhe publicistike, vlerat etike, puna hulumtuese dhe zbulimet shkencore në fushën e shkencave të mjekësisë, humanizmi, roli novator dhe rezultatet e suksese të tjera të panumërta e bëjnë krenarë komunitetin akademik, opinion mbarëbotëror, por mbi të gjitha neve që krenohemi për origjinën e tij shqiptare” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Studiuesve shkencorë, pjesëmarrës në këto konferenca me fjalë rasti iu drejtua nobelisti shqiptar Prof. Dr. Ferid Murad. Ai tha se asnjëherë nuk duhet ndërprerë kërkimet dhe hulumtimet shkencore, sepse në fund të punës do të rezultojë diçka e suksesshme. “Kur e mbarova kolegjin, fillova në një projekt në universitetin e Klivlendit, në një program studimor të kombinuar. Fillova një projekt hulumtues me mentorin tim në departamentin e farmakologjisë, një formulë të metabolizmit për të nxitur tretjen e glukozës ne mëlçi. Projekti zgjati 7 vjet në departamentin e farmakologjisë dhe biologjisë, duke influencuar formimin e këtij kumtari ndërqelizor. Në kohën time ky lloj hulumtimi nuk ishte shume i popullarizuar, por e kuptova se ishte shume i rëndësishëm. Ishte një hulumtim me rrezik të lartë dhe shumë interesant. Nga ky hulumtim e zbulova një kumtar oksidi nitrik, me aplikimin e te cilit u prodhuan barna te shumta për të gjitha llojet e sëmundjeve. Këto projekte hulumtuese rezultuan me mbi 150.000 hulumtime te mirëfillta ne mjekësi dhe biologji. Ky element kimik gjithashtu mund te përdoret edhe te sëmundjet kardiovaskulare. Kur fillova me hulumtimet e mia shume njerëz mendonin se nuk është e rëndësishme ajo qe bëja, por rezultoi se ishte diçka shume e rëndësishme dhe uroj që e dhe juve t’ju ndodhë një gjë e tillë” – u shpreh nobelisti Prof. Dr. Ferid Murad.

Në këto konferenca u promovuan edhe numrat 3 dhe 4 të Revistës së Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore dhe numrat 5 dhe 6 të Revistës së Fakultetit të Shkencave të Zbatuara JAS SUT (Journal of Applied Sciences –SUT).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button