(Video) Shevchenko hero në fitoren e Ukrainës

Përfaqësuesja e Ukrainës ka regjistruar fitore prej 2-1 përballë Suedisë në ndeshjen e parë të këtyre kombëtareve në kuadër të fazës grupore të Euro 2012.

Në gjysmën e parë të takimit rrjetat heshtën. Ukrainasit treguan më shumë nga loja me mbi 65 për qind të posedimit të topit, mirëpo nuk arritën që ta thyenin mbrojtjen kundërshtare.

Nga ana tjetër, kombëtarja suedeze pati disa raste të mira, por po ashtu mungoi konkretizimi. Kështu nuk ndodhi në gjysmën e dytë, pasi që skuadrat u treguan më efikase.
Ishte minuta e 52-të kur pas një harkimi të Kim Kallstrom, kush tjetër pos Zlatan Ibrahimovic e kaloi kombëtaren e tij në avantazh.

Mirëpo, vetëm tre minuta zgjati gëzimi i suedezëve pasi aty ishte legjenda me emrin Andriy Shevchenko. Pas një harkimi të Andriy Yarmolenko, Sheva i barazoi shifrat për t’i dërguar në ekstazë tifozët.
Vetëm disa minuta më pas (61’), heroi i mbrëmjes Andriy Shevchenko shënoi golin e dytë, i cili rezultoi i fitores për kombëtaren ukrainase.

Minutat e mbetura të takimit flasin për Suedinë, megjithatë përkundër rasteve të shumta, ata nuk arritën ta shënojnë golin e barazimit.

Ukraina kryeson Grupin D me tri pikë, ndërsa pas saj gjenden Franca dhe Anglia me nga një pikë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button