Ivanov deri në maj të vitit 2019-të “i paprekshmi” i Maqedonisë

Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, deri në mbarimin e mandatit, të maj të vitit 2019-të është i paprekshëm. Edhe pse bëri shkelje kushtetuese me mosdekretimin e ligjit për gjuhët, dhe pritet që të njëjtën ta bëjë edhe me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për çështjen e emrit, i njëjti nuk mund të thirret në përgjegjësi, pasi që shumica parlamentare nuk i ka numrat që ngritja eventuale e interpelancës të jetë e suksesshme, shkruan Portalb.mk.

Temelko Risteski
Temelko Risteski

Eksperti kushtetues, Temelko Risteski, për Portalb.mk, vlerëson se tani për tani Ivanovi përveç, nëpërmjet rrugës së ngritjes së interpelancës, nuk ka rrugë tjetër për ta ndëshkuar për shkeljet kushtetuese, megjithatë kjo nuk do të thotë që pasi t’i mbaroje mandati nuk do të dënohet.

“E dimë të gjithë procedurën, pra presidenti gëzon imunitet dhe deri sa e ka mandatin ai mund të thirret në përgjegjësi nga Kuvendi, e cila duhet të votohet me shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht prej 81 votave prej numrit të përgjithshëm, ndërkaq më pas e njëjta duhet që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ku edhe atje, për të hyrë në fuqi përgjegjësia duhet të votohet shumicë prej dy të tretave prej numrit të përgjithshëm të gjykatësve. Por, pas mbarimit të mandatit, presidenti më është qytetar i thjeshtë dhe i njëjti mund të dënohet për shkeljet kushtetuese që i ka bërë gjatë mandatit, kjo do të thotë se mund të ngritet procedurë në këtë rast për shpërdorim të detyrës zyrtare. Të mos harrojmë, presidenti është në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi to, ligji vjen nga shumica parlamentare të cilët e përfaqësojnë shumicën e qytetarëve”, thotë Ristevski.

Ish gjykatësja kushtetuese, Natasha Gaber – Damjanovska vlerëson se edhe nëse eventualisht presidenti Ivanov nuk e nënshkruan ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, i njëjti nuk do të bllokohet pasi që do të zhvillohet me aktivitetet e ardhshme politike.

Natasha Gaber - Damjanovska
Natasha Gaber – Damjanovska

“Nëse nuk e nënshkruan për së dyti herë, presidenti e shkelë kushtetutën, më qartë shëndosh. Unë mendoj se sido që të veprojë presidenti, është kalkuluar refuzimi i tij. Nuk mendoj që ligji do të ngelet në “stand buy”, mendoj se kjo zgjidhje zhvillohet edhe më tej pasi që do të ketë referendum, ndryshime kushtetuese dhe hapa tjerë. Nga ana tjetër, Greqia e vlerëson si akt të vullnetit të mirë votimin në Kuvend, duke e pasur parasysh se që mori shumicë në Kuvend, pra nuk ishte votimi i ngushtë 62-63, por 69 vota,”, thotë për Portalb.mk Gaber-Damjanovska.

Risteski dhe Gaber-Damjanovska janë të ndarë në lidhje me atë nëse duhet që ligji të shpallet në Gazetën Zyrtare pa dekretin e presidentit Ivanov. Për Risteskin është e pranueshme që ligji në fjalë të shpallet vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, ndërkaq për Gaber-Damjanoskën, është e papranueshme që të mos respektohen procedurat.

Presidenti, Ivanov, ashtu edhe siç ka paralajmëruar, pritet që të mos e nënshkruajë ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. Ai marrëveshjen nuk e pranon, pasi që sipas tij e njëjta është e dëmshme për Maqedoninë.

Presidenti, gjithashtu ende nuk e ka nënshkruar edhe ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili është bllokuar tek ai, me arsyetimin se i njëjti është i dëmshëm.

Kryeministri Zoran Zav, ka deklaruar është e mundshme që shumica parlamentare të kërkojë impiçment për presidentin Gjorge Ivanov nëse nuk e nënshkruan Marrëveshjen me Greqinë nëse qytetarët do të deklarohen pozitivisht në referendum për marrëveshjen.

“Kam dëshirë për konsolidim të shumicës parlamentare dhe atë do ta bëjmë veçmas për impiçment të presidentit, nëse e kemi patjetër. Unë nuk kam qëllim që të punoj për atë, për momentin kam për të bërë gjëra më të mençura, por gjithçka që është demokraci parlamentare ne do ta shfrytëzojmë që të vijmë deri te mundësia që qytetarët të vendosin për të ardhmen. Dhe atij vendimi të gjithë duhet që t’i nënshtrohemi dhe ta respektojmë deri në fund. Qytetarët janë ata të cilët do të zgjedhin nëse duan ndryshim të emrit, por nëse referendumi nuk pranohet, askush nuk ka të drejtë ta ndalojë mendimin e tyre. Pra nëse referendumi del negativ, s’ka  marrëveshje me Greqinë”, tha Zaev.

Si kundërpërgjigje, Ivanov e ka ftuar kryeministrin Zaev që menjëherë të ngrit procedurë për impiçment pasi që qëndrimi i tij në lidhje me marrëveshjen për emrin është përfundimtar dhe ngelet i pandryshuar.

“E ftoj Zaevin me dy të tretën e shumicës e cila është e patjetërsueshme për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë, menjëherë të ngrit procedurë për konstatimin e përgjegjësisë së presidentit të Maqedonisë, gjegjësisht impiçment. Qëndrimi im në lidhje me marrëveshjen e dëmshme për emrin është përfundimtar dhe ngelet i pandryshueshëm edhe përskaj të gjitha kërcënimeve dhe trysnive”, deklaroi Ivanov.

Sipas Kushtetutës Ivanov është i detyruar ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button