“Pena ime”, një manifestim i ri interdisiplinar në Kumanovë

Të mërkurën në Kumanovë filloi edicioni i parë i manifestimit kulturor “Pena ime” në Kumanovë, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”.

Drejtori i manifestimit, Fatos Rushiti, tha se përmes festivalit “Pena ime”, synojmë t’i sfidojmë artistët, e sidomos ata të gjeneratave më të reja, që të tregojnë vlerat e tyre të pashprehura. “Në konkursin e shpallur për në sferës e artit figurativ, letrar dhe muzikor, pati qindra aplikime, gjë që dëshmoi se për një manifestim të tillë interdisiplinar në Kumanovë, vërtetë pati nevojë!”, u shpreh Rushiti.

Në hapje të ekspozitës, si aktivitet i parë i këtij projekti interdisciplinar, morën pjesë shumë artistë dhe artdashës. Manifestimin e shpalli të hapur ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, i cili theksoi nevojën e mbështetjes së aktiviteteve të tilla kulturore, të cilat nxisin konkurrencën pozitive në mes artistëve dhe shtojnë vlerat e tyre artistike.

Ndryshe, në konkursin e artit figurativ u paraqitën gjithsej 23 artistë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, si nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Ohri dhe Kumanova.  Në këtë ekspozitë janë përfshirë piktura, grafika dhe skulptura. “Idetë që i preokupojnë artistit e rinj janë ti ndryshme dhe varirojnë nga realja, abstraktja, ekspresionizmi dhe hiper-realizmi. Janë artistë që pretendojnë ta ruajnë vlerën e mirëfilltë artistike si dhe origjinalitetin e shprehjes së tyre”, tha piktori akademik Rexhai Hyseni-Xhai.

Juria kishte vendosur që “Pena e artë për pikturë”, t’i takojë autores Afërdita Kiki, për pikturën “Pa titull”, e punuar në teknikën akril në pëlhurë; “Pena e artë për grafikë”, iu nda Naim Idrizit, për grafikën me titull “Saksofonist”, punuar në akualintë; dhe “Pena e artë për skulpturë” iu nda Ardian Kadriut, për skulpturën me titull “Gorgu”, punuar me gips të patinuar.

Manifestimi vazhdon të enjten (21 qershor 2018) me festivalin e poezisë dhe të premten (22 qershor 2018) me eventin kushtuar muzikës. Në këto dy net, ngjarjet zhvendosen në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, me fillim në ora 19:30.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button