Zgjedhjet e 24 qershorit në Turqi me shumë risi

Qytetarët turq do të shkojnë në zgjedhje të dielën, 24 qershor, për të zgjedhur presidentin e vendit dhe deputetët në parlamentin turk, ndërkohë që elektorati do të njihet me shumë risi të shumta këtë vit.

Sipas statistikave zgjedhore të publikuara nga Komisioni i Lartë Zgjedhor (YSK) në lidhje me Zgjedhjet Presidenciale dhe të 27-tat Parlamentare, 56.322.632 votues do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në 180.065 kuti votimi.

Zgjedhjet që po afrohen karakterizohen me një numër risish, siç janë “kutia mobile e votimit”, kandidatura presidenciale me 100 mijë nënshkrime të tubuara, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën ditë, si dhe aleancat parazgjedhore mes partive për herë të parë në historinë politike të Turqisë.

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar risitë e zgjedhjeve të këtij viti:

1. Gjersa më 10 gusht të vitit 2014, presidenti u zgjodh për herë të parë nga popullata, në zgjedhjet e 24 qershorit për herë të parë votuesit në të njëjtën kohë do të zgjedhin presidentin e shtetit dhe deputetët në Parlamentin e Turqisë.

2. Në vend të 550 deputetëve, votuesit do të zgjedhin 600 deputetë. Në këtë mënyrë, u ndryshua edhe numri i deputetëve në disa provinca, ndërsa Ankaraja për herë të parë u nda në tre zona zgjedhore.

3. Në këto zgjedhje ndryshoi mënyra e kandidimit për president. Më parë, kandidati presidencial mund të emërohej nga partitë me së paku 20 deputetë në parlament, konkretisht nga ato parti me 10 për qind të votave në zgjedhjet paraprake. Ndërkaq, tani, kandidati presidencial kishte mundësi të emërohej nga partitë me grup parlamentar, partitë me 5 për qind të votave në zgjedhjet e fundit, ose përmes 100 mijë nënshkrimeve të tubuara.

4. Për herë të parë në këto zgjedhje, partitë do të kandidojnë në aleanca parazgjedhore.

5. Në zgjedhjet e 24 qershorit, për herë të parë do të vihet në funksion “kutia mobile e votimit” për qytetarët që nuk janë në gjendje të shkojnë në qendrat e votimit. Kjo kategori përfshin 17.258 votues dhe për ta do të sigurohen së paku 1.303 kuti lëvizëse të votimit.

– Kandidatët presidencialë

Gjashtë kandidatë do të garjojnë në zgjedhjet presidenciale të Turqisë. Presidenti i tanishëm Recep Tayyip Erdoğan është kandidat i përbashkët i Aleancës Popullore, e cila përbëhet nga Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP). Kandidat i Partisë Republikane Popullore (CHP) është Muharrem Ince, kurse Partia Demokratike e Popujve (HDP) ka nominuar Selahatin Demirtaş.

Në zgjedhje do të garojnë edhe Meral Akşener, kryetarja e Partisë İYİ, e cila u kandidua duke tubuar 100 mijë nënshkrime, Temel Karamollaoğlu, kryetar i Partisë Saadet, si dhe Doğu Perinçek, kryetar i Partisë Vatan.

– Aleancat

Në Zgjedhjet e 27-ta Parlamentare do të garojnë AK Parti, CHP, HDP, HÜDA PAR, Partia İYİ, MHP, Partia Saadet dhe Partia Vatan. Kandidatët e BBP-së do të garojnë nga listë e AK Partisë, kurse ata të DP-së nga lista e Partisë İYİ.

Me ndryshimet e reja ligjore, u mundësua që partitë politike të mund të garojnë në aleanca. AK Partia dhe MHP do të garjojnë bashkarisht si “Aleanca Popullore”, ndërsa CHP, Partia İYİ, Partia Saadet dhe Partia Demokratike (DP) do të hyjnë në zgjedhje si “Aleanca e Kombit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button