Cërvenkosvki: Gruevski “kryeredaktor i mediumeve”

Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski në mitingun në Veles i bëri thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski për të dalë në duel televiziv.

Duke e quajtur atë si ”arkitekti kryesor i Shkupit, komandant suprem dhe kryeredaktor i mediumeve”, Cërvenkovski nga Gruevski kërkoi ballafaqim televiziv.

“Le të dalë dhe le të thotë se ç’do të bëjmë. Por jo, ai del dhe flet se si ka qenë para dhjetë ose njëzet viteve. Z. Gruevski, ju pret një betejë e rëndë dhe e gjatë. Andaj, që tani duhet t’i pastrojmë disa  gjëra. Të gjejmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve dhe t’ua zbusim dhembjet dhe mundimet. Këtë e presin nga ne qytetarët, por ju nëse doni të flisni për të kaluarën, mund ta heqim nga rendi i ditës këtë çështje. Kij guxim, prano ballafaqim televiziv me mua”, tha Cërvenkovski të dielën para banorëve të Velesit.

“Kudo që kemi shkuar na është thënë se kështu keq asnjëherë nuk ka qenë. Dhe me të vërtetë, Maqedonia sot është vend i të varfërve, të frikësuarve dhe qytetarëve të rrejshëm”, tha Cërvenkovski.

Partia opozitare në mitingun e mbrëmshëm prezantoi Ace Kocevskin si kandidat për prefekt i Velesit në zgjedhjet lokale në vitin 2013. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button