(EKSKLUZIVE) Duo Skupi: Dëgjo shumë muzikë që të bësh pak muzikë…

Duo Skupi është dëshmi se këngët e vjetra qytetare mund të tingëllojnë aq bukur kombinuar nga duart e një çifti të një violinisti dhe një flautistes. Nga viti 2006 Jeta Starova dhe Ermal Mehmeti, dy profesionistë të skalitur në Parisi prezantojnë stilin e tyre para publikut të Maqedonisë. Më 23 maj promovuan albumin e tyre të titulluar Duo Skupi, një kompilacion të këngëve të vjetra qytetare të përpunuara në një stil mjaft të veçantë. Jeta dhe Ermali, një çift i martuar, në një intervistë për Portalb tregojnë për eksperiencën e tyre të pasur dhe mjaft interesante.

PORTALB: Së pari formuat duon dhe u dashuruat, apo e kundërta? Po inspirimin ku e gjetët?

Ermali: E kundërta, duoja jonë u formua si rezultat i një kërkese që kishte bërë ish ambasadorja franceze në atë kohë, zonja Veronique Bujon-Barré për të na parë bashkë në një koncert në rezidencën franceze këtu në Shkup. Në atë kohë neve nuk na kishte shkuar ndërmend që të performojmë së bashku, pasi që performonim veç e veç, pra kishim secili drejtimin e vet. Fillimisht menduam të jetë një trio e përbërë nga violinë, flautë dhe piano ku do të performonim vepra të muzikës serioze sa për t’i plotësuar nevojat e një mbrëmje të tillë, gjë qe mua nuk më krijonte komoditet për arsye se të shumtën e kohës së jetës time e kam kaluar duke krijuar diçka të re, duke u bazuar në këtë me erdhi ideja që ajo trio të performojë këngë të vjetra qytetare të përpunuara. Para se të caktojmë provat me trion shfrytëzuam rastin të provojmë se si do të tingëllonte kjo muzikë pak a shumë gjersa nuk do të vinte pianistja, brenda një afati kohor shumë të shkurtër na tingëlloi diçka e re dhe shumë tërheqëse. Ky ishte edhe momenti i kthesës, kur vendosëm përfundimisht të kufizohemi në dy instrumente ku në shprehje gjithmonë vinin elementet e muzikës së vjetër shqiptare. 

PORTALB: A do të pranonit ndonjë bashkëpunim, të themi, me ndonjë vokal të fuqishëm, ose, a keni menduar ndonjëherë për të shtuar edhe ndonjë instrument në grup?

Jeta: Grupi është i hapur, hapësira është e pafund jo vetëm që mendohet, por punojmë drejt asaj që këtë muzikë ta plotësojmë edhe me elemente të tjera. Por pse gjithmonë duhet të jetë vokal në pyetje, pse gjithmonë për të tërhequr vëmendje në masë të gjërë patjetër duhet që në radhë të parë të vihet një vokal, që të jem e qartë nuk kritikoj vokalin sepse në fund të fundit vet Ermali është një vokalist shumë i mirë, dikur edhe ka kënduar, pra e duam shumë muzikën vokale.

PORTALB: Nga repertori i albumit tuaj vërehet se jeni përqendruar në këngët e vjetra qytetare. A do të thotë kjo se këngët më të reja kanë humbur vlerat e tyre? Në fakt, cili është mendimi juaj në lidhje me këngët të cilat tani po konsumohen në popullatë?

Ermali: Duhet të pranojmë që kriteret për muzikë në ditët e sotme janë ulur shumë, për të mos thënë se janë zhdukur fare. Nga njëra anë duhet të jemi të lumtur sepse ky globalizim ka sjell njëherit edhe kushte shumë të mira për punë, duke e pasur këtu parasysh edhe zhvillimin teknologjik që ec përpara me hapa shumë të shpejta dhe pa dyshim lehtëson shumë punën e një krijuesi, por nga ana tjetër e keqja është se të gjitha këto përparësi kanë sjell edhe mediokritetet me vehte. Nuk e kam fjalën këtu vetëm në muzikë por në çdo lëmi, lehtësimi teknologjik ka bërë të mundur që të gjithë pa konkurencë të vehemi në një rang listë të njejtë, pra sot nga ana vizuale është vështirë të dallosh kush është e kush. Nuk është muzikanti ai i vërteti, por fatmirësisht ka ngelur vetëm një vend që quhet skenë ku kjo gjë mund të dëshmohet. Që të mos keqkuptohemi, ne e përqafojmë teknologjinë, gjatë gjithë kohës jemi në hap me të, por gjithmonë duke e bërë atë që të jetë në shërbimin tonë, e jo e kundërta, ne të bëhemi rob i teknologjisë, siç bëjnë fatkeqësisht këngët e reja sot, të cilat në fund të fundit edhe ne me kënaqësi i mirëpresim që pastaj të zhgënjehemi nga të njejtat. Mendoj se hapësirë ka pasur dhe gjithmonë do të ketë për krijimtari, ndërkohë që e kundërta e saj do të venitet dhe zhduket vetvetiu, pikërisht sikur një proces natyror.

Jeta: Un do të përgjigjem pozitivisht në këtë pyetje pa e zgjatur shumë, përgjigjja ime është PO, kanë humbur në tërësi vlerat e këngëve më të reja, edhe kur përpunohen këngët e vjetra qytetare shqiptare ato përpunohen në një mënyrë shumë kiç, vihen ca elemente ritmike të shëmtuara që nuk i përkasin popullit shqiptar. Ne jemi popull evropian, nuk e di pse gjithmonë disa njerëz kanë nevojë që në vazhdimësi ta deformojnë muzikën. Mirëpo faji qëndron edhe te mediumet të cilët i japin shumë më shumë hapësirë politikës sesa kulturës në përgjithësi, detyrimisht qytetarët do ta konsumojnë atë që ja ua ofrojnë mediumet.

PORTALB: Në Maqedoni, popullata shqiptare nuk përcjell evenimente të ndryshme muzikore, e në veçanti të muzikës klasike. Si mendoni ju, pse kështu po ndodh? A kemi ne mjaftueshëm koncerte të muzikës serioze në Maqedoni?

Ermali: Si e para, duhet t’i bëjmë të qarta ca gjëra, ç’është muzika serioze apo klasike, duhet të kemi parasysh se kjo muzikë për të cilën po flasim nuk u krijua këtu, e kam fjalën në Ballkan, por ajo u krijua kryesisht në shtetet e Evropës perëndimore dhe Rusi, ajo erdhi këtu nëpërmjet të shkollave muzikore që u hapën. Pra, në përgjithësi është diçka e largët për mentalitetin e njeriut ballkanik. Falë shkollave muzikore në Ballkan njerëzit filluan që të njihen dhe ta pranojnë këtë muzikë dhe mënyrën e lojës së saj. Kjo nuk do të thotë se këtu nuk u krijua muzikë, por natyrisht që ishte ndryshe nga ajo për të cilën po flasim si nga mënyra ritmike ashtu edhe nga ajo harmonike. 
Çfarë dua të them me këtë është se muzika e tillë më shumë njihet nga ai i cili është marrë me të, sesa nga një dëgjues i thjeshtë, kjo padyshim që e ka bërë të vetën ndër dekada me një aksent të veçantë tek publiku shqiptar i Maqedonisë të cilit fatkeqësisht ju mohua privilegji për t’i thithur tingujt e kësaj muzike që është shkruar shekuj më parë me sinqeritet dhe dashuri. Kush e bëri këtë? Natyrisht që thamë edhe më parë, fajtori kryesor janë mediumet të cilët e nënçmuan këtë lloj muzike duke e emituar nëpër termine jo te rëndësishme, termine intermecoje etj.. Duke e sjellur madje në nivel qesharak aq sa në mentalitetin e njeriut tonë është diçka për të cilën nuk ja vlen të mendosh as një sekond. 
Bile desha të citoj një fjali që e kemi dëgjuar të përsëritet “Muzikë për të vdekur”, e pastaj është diskutabile a kemi apo nuk kemi koncerte të tilla në Maqedoni edhe nëse kemi, si i kemi, pse i kemi, ose a duhet t’i kemi, e kështu me radhë. Është me rëndësi ta dimë se nga muzika serioze lindën të gjitha stilet e muzikës moderne që ne i njohim sot, prandaj duhet ta respektojmë.

PORTALB: Duke qenë se në Maqedoni nuk ka shumë duo të tilla, sa Ministria e kulturës i përkushtohet kësaj sfere?

Jeta: Në fillim të karrierës tonë, posa u kthyem nga Parisi, nuk na shkoi ndërmend të bashkëpunojmë me Ministrinë e Kulturës, nuk e dinim  se si shkojnë gjërat këtu. Mbaj mend vitin 2007 apo 2008 kisha një koncert për ditët e kulturës shqiptarë me përcjellje të Filarmonisë së Maqedonisë. Kur mbaroi ai koncert, ne patëm një takim të rastësishëm me shefin e kabinetit të Ministrit të kulturës të asaj kohë, zotëri Avni Halimi i cili na tha: Po pse nuk konkuroni në ministrinë e kulturës? Prej asaj dite filloj bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, edhe që në atë kohë ishte shumë më lehtë, pasi që punonin në atë Ministri shumë shqiptarë: Ministri ishte shqiptar, Shefi i Kabinetit ishte shqiptar, si dhe kryetari i komisionit për artin muzikor, dhe fjala jonë ecte shumë më lehtë, por ne nuk mund të ankohemi sepse bashkëpunimi edhe pas asaj vazhdoi falë Ministres së Kulturës së tashme e cila e njeh mirë punën tonë, dhe e admiron pa masë, por edhe nuk mund të lavdërohemi nga Ministria e Kulturës se asnjëherë nuk kemi marrë shuma marramendëse, siç kanë marrë ca të tjerë dhe nuk kanë realizuar asgjë, por për ne s’ka rëndësi se jemi punëtor, kemi vullnet të madh dhe e duam profesionin tonë. Kemi krijuar emër, dhe të gjithë e dinë punën tonë se, siç thamë më parë, skena tregon çdo gjë. Pra, me mund dhe me punë ne jemi të bindur qe pavarësisht cila garniturë politike vjen në ministrinë e kulturës, projektet tona do të kalojnë, sepse ne punojmë me sinqeritet, pa kalkulime dhe intriga.

PORTALB: Të dy keni studiuar në universitete prestigjioze dhe keni një background mjaft të dalluar. A keni qenë ndonjëherë të dëshpëruar nga feedback-u që merrni në Maqedoni?

Ermali: Ne kemi koncertuar nëpër periudha të ndryshme dhe vështirësitë që u paraqitën konkretisht tek DUO SKUPI ishin ato të tipit se ne jemi vëllai i dikujt apo vajza e dikujt dhe prandaj “ne mund të bëjmë muzikë”…Çfarë absurdi! Kishim shumë vështirësi të mëdha në mënyrën e komunikimit më të thjeshtë për çfarëdo lloj projekti muzikor të bëhej fjalë, sepse hasnim në përgjigjen e njejtë, shumë tendencioze: “aha ju mundeni”, “hajt se ju  keni se si”, periudhë e cila shkoi pakë gjatë, periudhë në të cilën nuk kishim mundësi të tregonim as donjë ankesë më të vogël. Për kënaqësinë e kundërshtarëve tanë që fatkeqësisht i kemi edhe pse nuk duam që ti kemi ishim disi më të heshtur, vetëm kohë pas kohe defilonim diku, dua të theksoj se në ndërkohë muzika jonë zinte vënd nëpër qytetet europiane falë shkollave që i kishim bërë në Francë, dua të them se thellë ne vetvete besoja se këto bariera do zhduken sepse nuk është e mundur që populli të cilit i përkasim mos të na doje, thjesht vetëm duhet diku që të na dëgjojë kaq mjafton, e vërteta del në shesh. Sot jemi larg atyre gjërave, marim frymë më lirë, rezultati i asaj është dalja e albumit tonë ne treg. Nuk them se barierat janë zhduk në total por gjindemi larg periudhës që përmëndëm, më në fund opinioni e ka kuptuar që ne e bëjmë punën vet me plot dashuri dhe në fund të fundit vetëm ne jemi ata që interpretojmë në skenë.

PORTALB: Me siguri fakti që jetoni bashkë ju ndihmon shumë për të qenë në hap me ushtrimet dhe për ta mbajtur kondicionin? Sa kohë i kushtoni ushtrimeve?

Jeta: Është e vërtetë që fakti që jetojmë në një hapësirë na jep përparësi që të jemi në hap me ushtrimet të cilët janë aq të nevojshme për ta përballu atë qe kemi për ta thënë në skenë sepse dua të them këtu që ne i përkushtohemi me maksimum një performanse dhe ndjejmë përgjegjësi shumë të madhe kur luajmë përpara publikut cili do që është ai, ndjehemi sikur të jetë hera e pare, duke e respektuar këtë gjë ato koncerte rezultojnë me suksesin për të cilin flitet dhe shkruhet. Puna tjetër që bëjmë është ajo në audio studion tonë që e kemi, ku dhe realizuam albumin tonë të parë, por para së gjithash, gjëja kryesore që duhet të bën një muzikant është që të dëgjojë shumë muzikë, gjë të cilën ne në vazhdimësi e bëjmë. Siç thotë Ermali në një thënie të vetën: Dëgjo shumë muzikë që të bësh pakë muzikë, dëgjo pakë muzikë që të mos bësh muzikë dhe mos dëgjo muzikë që të shuhesh fare. 

PORTALB: A keni në plan ta promovoni albumin edhe jashtë Maqedonisë, në Shqipëri apo Kosovë, ndoshta?

Jeta: Natyrisht që do ta promovojmë albumin tonë në Maqedoni në disa qytete tani gjatë verës. Kemi caktuar disa koncerte në Kosovë dhe Bullgari, në Shqipëri jemi në bisedime, do të kemi edhe në disa shtete evropiane. Ato nuk do të jenë promovim të CD-së, si në Shkup që patëm, por koncerte me rastin e daljes së albumit tonë i quajtur sikur ne DUO SKUPI. 

PORTALB: Shkurtë, na numëroni tre veti të njëri-tjetrit që ju pëlqejnë më shumë?

Ermali: 1.Jeta është një flautiste e përkryer gjë që mua më konvenon shumë 2.Me do ashtu siç duhet që të duhet 3.Kompozimet e mija i mbron me fanatizëm dhe nuk mi keqpërdor siç ma kanë bërë shpesh herë disa nga kolegët e mi ndër vite.

Jeta: 1.Ermali është një muzikant i përkryer dhe i gjithanshëm, ai nuk është vetëm violinist, por edhe kompozitor, orkestrues… dhe ka veshin absolut. 2. Është shumë i bukur. 3. Ka një sens te humorit te përkryer, kur fillojmë të qeshemi me Ermalin dhe me njerëz të tjerë, na dhemb barku nga e qeshura 🙂

PORTALB: Po si ushtroni kur jeni të acaruar me njëri – tjetrin? 🙂

Ermali: Nuk ushtrojmë, e lejmë acarimin që të shkojë gjer në fund, sepse, siç thotë një proverb e vjetër shqiptare, puna e lënë pergjysëm është më e keqe sesa hiqi 🙂

PORTALB: Kur ushtroni, fqinjët e kanë problem, ju kanë ardhur ndonjëherë për tu ankuar në shtëpi?

Jeta: Mendoj se i kemi ndërmarrë të gjitha hapat që të mos ndodh një gjë të tille, ne ushtrojmë ne studion tonë e cila është totalisht e izoluar kështu që nuk i pengojmë askujt.

PORTALB: Na tregoni ndonjë rast interesant nga performacat e juaja, diçka të veçantë që se harroni dot?

Jeta: Unë para disa vitesh kisha një koncert me piano në muzeun e qytetit të Shkupit, papritmas më erdhi një qen i madh dhe i bukur, u ndal mu pranë meje dhe rinte sikur të jetë pjesë e koncertit, ndërkohë që e ndjeja që publiku po kënaqen shumë. Dëgjoi qeni pak muzikë dhe pastaj iku. Kam edhe fotografi të kësaj ngjarjeje, jam shumë e lumtur për këtë gjë, se është një kujtim i papërsëritshëm. 

PORTALB: Mesazhi i juaj për lexuesit e Portalb?

Jeta: Përpiquni ta zbuloni se ku është e fshehur vlera në muzikë.

Ermali: Përpiquni që ta zbuloni fuqinë e dashurisë, e çuditshme është se çfarë mrekullish ndodhin./Portalb

   

Lajme të ngjashme

Back to top button