U themelua “QSA”-Kumanovë

Me datë 10 qershor 2012, në lokalet e QSA-Kumanovë, u bë themelimi i shoqatës humanitare Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA).

Kjo shoqatë është produkt i shoqatave simotra, QSA-Belgjikë, QSA-Zvicër, QSA-Gjermani, QSA-Preshevë, dhe tashmë së fundmi edhe në Kumanovë.

Qëllimi i saj është afrimi i ndihmave të llojllojshme për rastet sociale në Komunën e Kumanovës dhe të Likovës.

Deri më tash, QSA-Preshevë ka realizuar një mori aktivitetesh të cilat janë në plan të implementohen edhe në Kumanovë. Në mesin e atyre aktiviteteve janë edhe: ndërtimi i shtëpive për të varfrit, projekti bukë dhe shpresë për familjet skamnore, projekti rreze drite e shpërndarjes së karrocave për invalidët e varfër, ndihma e nxënësve dhe studentëve të varfër etj.

Financimi i kësaj shoqate bëhet nga popullata shqiptare që jeton dhe vepron në vendet e pasura perëndimore. Ndërsa aktiviteti i shoqatës kryhet mbi baza vullnetare.

Struktura organizative e kësaj shoqate është publike dhe për këtë arsye do të përmendim edhe ekipin e përzgjedhur në përbërje të:

Dr.Rexhail Ramadani, Mr.Iljasa Salihu, Femi Rashiti, Mr.Ardian Ramadani, Dr.Avni Avdiu dhe Hamdi Nuhiju.

QSA-Kumanovë fton opinionin publik që ti bashkëngjitet kësaj ideje, sidomos biznesmenët që kanë mundësi të ndihmojnë raste të caktuara sociale. Po ashtu ftojmë edhe mediumet shqiptare që ta përkrahin idenë tonë, si dhe qytetarët e thjeshtë për pjesëmarrjen në aktivitetet e shoqatës që do të zhvillohen. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button