“Wildlife” nisëm për ndërgjegjësimin e mbrojtjes së kafshëve të egra në Shqipëri dhe Kosovë

Grupi Wildlife – Albanian Photographers në Facebook ka lindur si një nismë e fotografëve në Kosovë për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e kafshëve të egra. Mediet kanë raportuar jo rrallë rastet e keqtrajtimit të këtyre kafshëve dhe ky shqetësim ka nxitur krijimtarinë dhe shpirtin artistik të tre fotografeve që kanë marrë përsipër ta ndryshojnë këtë realitet, shkruan Koha Jone.

Arian Mavriqi, Granit Hyseni dhe Liridon Shala vendosën ta krijojnë këtë grup virtual me 13 mars 2018, por shumë shpejt tre administratorët vunë re se koncepti fillestar kishte nevoje të zgjerohej, duke përfshirë në bashkëpunim edhe fotografë të tjerë shqiptarë të të gjitha trevave, qasje që filloi të afrojë pranë këtij grupi edhe studiues të botës së kafshëve të egra nga Kosova dhe Shqipëria.

Krijimi i një databaze online është një projekt ambicioz që ky grup ka ndërmarrë dhe në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e grupit po pasurohet dita-ditës nëpërmjet projektit Natyr-AL në faqen iNaturalist.

Bashkëngjitur me këtë projekt është edhe nisma për ta përkthyer faqen iNaturalist në shqip. Në këtë mënyrë anëtarë nga të gjitha anët mund të marrin pjesë duke e pasuruar atë.

Publikimi i fotografive të këtij grupi në librat shkollorë është një tjetër projekt tepër ambicioz. Tre nga organizatoret e grupit janë taku tashmë me ministrin e Arsimit në Kosove dhe kanë marrë mbështetjen e plotë prej tij. Shpresojmë se e njëjta gjë do të ndodhë së shpejti edhe me ministrin e Arsimit në Shqipëri.

Ideja e përfshirjes së fotografive të Grupit Wildlife – Albanian Photographers në pullat postarë është prej ideve më intriguese dhe emocionuese të grupit.

Ky grup është i hapur dhe i mirëpret bashkëpunimet me të gjithë ata që mund të ndihmojnë në realizimin e mundshëm të një ose disa ekspozitave në galeri të ndryshme të Kosovës,  Shqipërisë, Maqedonisë dhe më gjerë, me fotografi nga të gjitha trojet shqiptare. Momentalisht, po bëhen përgatitje për ekspozitën e parë në Divjakë-Karavasta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button