Qytetarët do të kenë fjalën e fundit për “Maqedoninë e Veriut”

Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, bazuar në deklaratat e deritanishme të kryeministrit, Zoran Zaev dhe të liderëve të tjerë politik, do të jetë në duart e qytetarëve të Maqedonisë, transmeton REL.

Pas kalimit të saj në Kuvend dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese, marrëveshja e arritur nga dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras për emrin“Maqedonia e Veriut”, duhet të aprovohet edhe në referendum nga qytetarët, i cili sipas marrëveshjes duhet të mbahet deri në fund të vitit.

Kryeministri Zaev ka bërë të ditur se nëse të gjitha procedurat realizohen sipas dinamikës së paraparë, atëherë referendumi do të mbahej nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit.

“Vota e qytetarëve është përfundimtare. Ashtu siç kemi premtuar, me marrëveshje garantohet se në vjeshtë do të ketë referendum. Qytetarët janë ata të cilët do të vendosin për të ardhmen e tyre. Në referendum do të shënohet një faqe e re në historinë e Maqedonisë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Për dallim nga ai, lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, ka thënë se marrëveshja është antikushtetuese dhe se në referendum do të votonte kundër dokumentit të cilin e ka quajtur, “Kapitullim të Maqedonisë”.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se që referendumi të ketë sukses duhet që të dalin mbi gjysma e trupit të përgjithshëm votues. Bazuar në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, të drejtën e votës e kanë rreth 1 milion e 770 mijë votues, e që referendum të jetë valid, në votime duhet të dalin gjysma e atyre, apo rreth 800 mijë votues.

“Dalja në referendum duhet të jetë mbi 50 për qind e trupit votues dhe nga ata mbi 50 për qind duhet t’i japin mbështetje që të ketë sukses. Por, e them referendumi mund të dështoj nëse nuk arrihet pragu për dalje në votime prej 50 për qind plus një votë. Sa i përket referendumit, ai mund të jetë vendimtar dhe këshillues. Vendimtar do të thotë se rezultati i tij do të vendos për çështjen që ngritët, por edhe këshillues ka rëndësi të madhe pasi nëse mbi 50 për qind e votuesve këshillojnë se çështja e ngritur në referendum duhet të miratohet ose jo, kjo megjithatë vlerësoj se duhet të merret në konsideratë. Maqedonia është shtet qytetar, sovraniteti buron nga qytetarët dhe atyre i takon”, thotë Temelko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Font të Shkupit.

Dilemat mbeten nëse opozita maqedonase do të ftoj apo jo anëtarësinë që të dal në referendum. Nëse thirrja është negative kjo sipas ekspertëve do ndërlikonte gjendjen. Nga ana tjetër, numri i votuesve shqiptar bazuar në disponimin momental pritet të jetë i lartë. Por, disa nga aktivistët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve kërkojnë që ky referendum të shpërbëj për ngritjen e pozitës së tyre në shtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button