Serbia e përdori ushtrinë jugosllave ‘për qëllime lufte’

Ushtria Popullore Jugosllave u përdor për të arritur qëllimet nacionaliste të lidershipit serb gjatë luftërave të viteve 1990 në Bosnje dhe Kroaci, sipas një raporti nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Fondi për të Drejtën Humanitare prezantoi një raport të premten në Beograd, duke dokumentuar rolin e Ushtrisë Popullore Jugosllave, JNA, pasi lidershipi serb i kryesuar nga Sllobodan Millosheviqi mori kontrollin e ushtrisë për të përmbushur qëllimet e tij të luftës.Dosja e FDH-së, e titulluar “Ushtria Popullore Jugosllave në luftërat në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë”, jep shembuj të krimeve të luftës të kryera ose të asistuara nga APJ-ja, por nuk kërkon të japë një listë të plotë të të gjitha operacioneve të saj gjatë kohës së luftës, transmeton Lajmi.net.

“Synimi ishte të theksonim modelin me të cilin Ushtria Jugosllave dyshohet se mori pjesë në arritjen e qëllimeve të luftës vetëm nga njëra palë, ajo serbe,” tha FDH në dosje.

Sipas hulumtimit të FDH-së, deri në fillim të viteve 1990, përbërja etnike e JNA-së ishte shumë e ristrukturuar, me numrin e oficerëve serbë në rritje dhe oficerët e etnive të tjera që po largoheshin nga ushtria.

“Në pranverën e vitit 1992, boshnjakët dhe kroatët u pushuan nga poste të larta dhe në disa raste iu bë presion që të largoheshin nga detyra,” thuhet në raport.

Deri në prill 1992, rreth 90 për qind e të gjithë oficerëve të JNA-së ishin serbë dhe malazezë, ndërsa në fillim të po atij viti, 90 për qind e të gjithë rekrutëve ishin serbë, sipas raportit.

Pjesa e parë e dosjes së FDH-së trajton luftën në Kroaci, duke treguar sesi fillimisht JNA krijoi zona buferike midis palëve luftuese, vetëm për të hequr dorë nga kontrolli mbi ato zona për t’i dhënë mundësinë lidershipit serb të Kroacisë të vinte në pushtet.

Pas kësaj, JNA-ja u pozicionua haptazi me forcat rebele serbe të Kroacisë, duke bombarduar qytetet kroate dhe duke marrë pjesë në beteja së bashku me paraushtarakët serbë dhe ushtrinë e Republikës së vetëshpallur të Krajinës Serbe, një shtet i vetëshpallur i udhëhequr nga serbët në Kroaci, thotë raporti.

Dosja përshkruan shembuj të operacioneve ushtarake që nga viti 1991, në të cilat JNA kreu krime lufte ose “përgatiti terrenin ” për krimet e kryera nga njësitë serbe me të cilat bashkëpunoi, thotë FDH.

Këto përfshijnë bombardimin pa dallim të qyteteve kroate si Dubrovniku, Vukovari, Zadari dhe Sibeniku, si dhe sulme në zona të Kroacisë gjatë të cilave u krye spastrimi etnik i jo-serbëve.

Raporti thotë se JNA-ja, ndërsa ishte ende e përfshirë në konflikte në Kroaci, krijoi bashkëpunim me Partinë Demokratike Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, SDS, e cila u themelua nga Radovan Karaxhiqi.

“Pas tërheqjes nga Kroacia në muajt e parë të vitit 1992, JNA-ja i zhvendosi aktivitetet e saj ushtarake në Bosnje,” thotë FDH.

Pjesa e dytë e dosjes përshkruan se si JNA-ja ndihmoi SDS-në të merrte pushtetin në gjashtë komuna boshnjake që do të përfshiheshin në territorin e Republikës së vetëshpallur Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, më vonë u riemërua Republika Srpska.

Komanda e Ushtrisë së Republikës Srpska u formua kryesisht nga anëtarë të Shtabit të 2-të të Qarkut Ushtarak të JNA-së, komandanti i të cilit, Ratko Mlladiq, u emërua komandant kryesor i forcës ushtarake serbe të Bosnjës.

Dokumentet e mbledhura nga FDH-ja tregojnë se si njësitë e JNA-së ndryshuan emrat dhe u bënë njësi të Ushtrisë së Republikës Srpska pa ndryshuar lidershipi apo forcën e njësisë.

“Në këtë mënyrë, Ushtria e sapoformuar Serbe e Bosnjës nisi nga pozita shumë më të forta se çdo strukturë tjetër ushtarake (e udhëhequr nga grupe të tjera etnike) në Bosnje,” thuhet në raport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button