Skenari i mazhorancës: Topalli Presidente, Meta kryetar Kuvendi

Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në seancën e të hënës ku merr fund enigma presidenciale, në tavolinën e shefit të mazhorancës janë shtruar për shqyrtim disa skenarë që fillojnë nga emri konsensual me Partinë Socialiste (PS) e deri tek emrat politikë. Duke llogaritur takimin e nesërm mes liderëve të Partisë Demokratike (PD), Sali Berishës dhe atij të PS-së, Edi Ramës fokusi mbetet tek konsensusi, në të kundërt për deputetët e Kuvendit shqiptar shtrohet detyra për të votuar një emër që këtë herë do të vijë nga strukturat drejtuese të PD-së.

Ka skenarë që, sipas burimeve nga tri forcat parlamentare, përfshijnë edhe LSI-në. Sipas burimeve, nëse nuk arrihet konsensusi me PS atëherë mazhoranca do zgjedhë kandidaturë politike që do të thotë edhe miratim me 74 ose 75 vota në Kuvend ose më shumë kjo në varësi të momentit.

Skenari i parë dhe ai më i kuotuari sipas këtyre burimeve të sigurta është ai i hedhjes në votim të kryetares aktuale të Parlamentit Jozefina Topalli. Zgjedhja e zonjës Topalli në krye të shtetit, atëherë shtrohet nevoja e zgjedhjes së një kryetari Kuvendi dhe ky vend sipas burimeve do t`i lirohet as më shumë e as më pak se kryetarit të LSI, Ilir Meta. Pra një skenar i thjeshtë brenda mazhorancës me Topallin Presidente dhe në vend të saj Ilir Metën si kryeparlamentar, transmetojnë mediat.

Një skenar tjetër është edhe ai i lansimit në votim të 3 emrave të tjerë po nga PD. Fjala është për 3 ministrat, Imami, Bode dhe Nishani me shanse të barabarta për të prekur majën e kupolës shtetërore. Gjithsesi skenari i dytë është një plan B, por që më i bastuari meqë jemi edhe në kohë bastesh është ai i pari ku përfshin të dy forcat kryesore në mazhorancë. Gjithsesi ky skenar mund të fillojë të zbatohet të hënën në bazë edhe të një marrëveshje mes Berishës e Metës, por pasi të jenë konsumuar të gjitha përpjekjet dhe të jenë rrahur të gjitha rrugët për konsensus me Ramën./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button