90 mijë muslimanë falin namazin në Mesxhid al-Aksa (VIDEO)

Mbi 90 mijë palestinezë që jetojnë në Kudsin Lindor të pushtuar sot falën namazin e Bajramit në Mesxhid Al-Aksa, raporton Anadolu Agency (AA).

Palestinezët krijuan radhë të gjata në rrugë që nga orët e hershme të mëngjesit për të falur namazin në Al-Aksa.

Sipas një deklarate të Drejtorisë së Vakëfeve në Kuds, mbi 90 muslimanë ishin të pranishëm në faljen e namazit të Bajramit në Al-Aksa.

Predikuesi Shejh Muhamed Husein tha në hutben e Bajramit se pret që palestinezët ta vazhdojnë interesimin për Mesxhid al-Aksan edhe pas Ramazanit.

Husein tha se populli palestinez mbron xhaminë e shenjtë, qytetin e tyre Kudsin dhe tokat e shenjta dhe shtoi se nuk do ta pranojnë “Marrëveshjen e Shekullit” të përgatitur nga SHBA për rifillimin e negociatave mes Izraelit dhe Palestinës.

Një grup palestinezësh organizuan një demonstratë mbështetëse për Gazën pas namazit, duke ngritur pankarta me mbishkrime si “Sanksionet ndaj Gazës janë krim” dhe “Gaza është zemra e Kudsit, Kudsi është zemra e Gazës”.

Ndryshe, gjatë këtij muaji të Ramazanit, Izraeli pengoi hyrjen në Kuds të meshkujve të moshës nën 40 vjeç nga Bregu Perëndimor i rrethuar me Murin e Ndarjes (Muri i Turpit), ndërsa nuk lejoi edhe hyrjen e palestinezëve nga Gaza e bllokuar me afër dy milionë banorë.

Një numër i madh i pikave izraelite të kontrollit gjenden përgjatë murit të betonit të lartë pesë metra të ndërtuar në vitin 2003 mes Bregut Perëndimor të okupuar dhe Kudsit. Në ditë të zakonshme, Izraeli nuk lejon kalimin e palestinezëve të Bregut Perëndimor në Kuds, me përjashtim të lejeve të posaçme.

Ndërkaq, banorët e Gazës, që gjendet nën bllokadën e Izraelit, nuk kanë liri të udhëtojnë as në Kuds, e as në ndonjë vend tjetër.

Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor, ku ndodhet kompleksi Al-Aksa, mbahen të okupuara nga Izraeli që nga viti 1967.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button