Urimet e krerëve politik në Maqedoni për Fitër Bajramin

Krerët e partive politike të Maqedonisë ua kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre është që të mbizotërojë solidariteti dhe mirësia tek të gjithë, njofton Portalb.mk.

Kryeministri  i Maqedonisë Zoran Zaev me rastin e festes së Fitër Bajramit uron besimtarët e fesë islame.

“Me përkushtim të sinqertë ndaj Zotit, të gjithë se bashku të vazhdojmë traditën me të cilën jetohet me shekuj në këto treva. Të forcojmë Maqedoninë si shembull për bashkëjetesë, respekt dhe mirëkuptim mes njerëzve të përkatësive të ndryshme fetare dhe etnie dhe të krijojmë vepra dhe vlera për gjeneratat e reja”, thuhet në urimin e Zaevit.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjithashtu ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Miq e dashamir, sot kam kënaqësi të veçant të uroj të gjithë besimtarët mysliman për festën e madhe të Fitër Bajramit qe na gjen pas sakrificës dhe reflektimit në muajin e madhërishëm të Ramazanit. Pas një muaji të agjërimit, festa e fitër Bajramit na gjen edhe më të bashkuar, më solidar me njëri tjetrin dhe më të përkushtuar në udhëzimet e drejta të besimit. Uroj gjithësecilin prej jush dhe familjet e juaja me dëshirat më të sinqerta për shëndet, mbarësi, harmoni dhe gëzime personale e familjare”, shkruan Ahmeti në urimin e tij në profilin e Facebook-ut.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi ka shpreh urime të sinqerta me rastin e festës së Fiter Bajramit.

“Është kënaqësi që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të drejtoj urime të sinqerta me rastin e festës së madhe të Fitër Bajramit, festë e cila vjen menjëherë pas agjërimit të Ramazanit dhe është shpërblim për sakrificën individuale të besimtarëve mirëpo, edhe për solidaritetin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë kolektiv të të gjithë qytetarëve, pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare apo politike. Uroj që kjo festë t’ju gjejë në shëndet të mirë, në mirëqenie në shtëpitë tuaja dhe harmoni në rrethin familjar. Këto janë kohëra të sfidës historike dhe sprovave për Republikën e Maqedonisë dhe prandaj dëshiroj që ndër të gjithë qytetarët të mbisundojë urtësia, mirëkuptimi dhe largpamësia. Së bashku, të bashkuar, jemi më të fuqishëm, më të mençur dhe do të jemi era që do e çojë Republikën e Maqedonisë në kahun e vërtetë, dhe ky është anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO dhe në BE, pjesë e natyrshme dhe civilizuese e familjes evropiane dhe vlerave evropiane.”

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Fitër Bajrami padyshim që është festa më e madhe fetare, e cila na kujton vlerën e humanizmit duke ngjallur ndjenjën e altruizmit dhe solidaritetit ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë për kurajo dhe shpresë, për buzëqeshje dhe ngrohtësi. Urojmë që ky Bajram, t’ju gjejë shëndosh e mirë dhe në harmoni me familjet e Juaja, duke rrezatuar gjithmonë mirësi, respekt dhe mirënjohje ndaj njëri tjetrit.”

Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Muaji i Ramazanit është një a’raf (purgator) që besimtarët myslimanë e kalojnë me agjërim, përkushtim e devocion, për të dalë në ditën e Bajramit ballëndritur dhe zemërbardhë njësoj si në ditën kur besimtarët do ta kalojnë Urën me librin në krahun e djathtë. Përveç kësaj, Ramazani është universiteti ku jepen leksione për paqen, dashurinë, mirëqenien dhe tolerancën. Agjëruesit janë njerëzit më të përshpirtshëm, të cilët e ushqejnë me dashuri gjithë njerëzimin dhe, madje, edhe mjedisin. Në këtë kontekst, edhe në rrethanat tona, bashkëjetesa, respekti i ndërsjellë dhe dialogu janë vlera që – pos tjerash – i prodhon ky muaj i madh.Duke e perceptuar kështu muajin e Ramazanit, jemi të bindur se festa e Bajramit tashmë është katarza e shpërthimit shpirtëror që e sjellin agjëruesit me dashuri për njeriun dhe për natyrën, në përgjithësi. Urojmë që ky Bajram të kalojë në mirëqenie, paqe, dashuri e lumturi në secilën familje.”

Vesel Memedi nga Rilindja Demokratike Kombëtare, uron besimtarët.
“Fitër-Bajrami është një ditë gëzimi që nuk lidhet me asnjë ngjarrje historike apo ndërrim motmotesh. Rëndësia e saj është pastër shpirtërore. Është një ditë kur muslimanët anekënd botës i falënderohen të Plotëfuqishmit që u ka dhënë dëshirën, fuqinë, dhe qëndrueshmërinë të mbajnë agjërimin dhe të respektojnë urdhërat e Zotit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Kjo është një ditë kur ne duhet të vizitojmë familjarët tanë, farefisin, të përgëzojmë të varfërit dhe jetimët, dhe të rikujtojmë të dashurit tanë që nuk janë më në mesin tonë. Kjo është një ditë kur gëzimi dhe lumturia jonë bëhen një formë adhurimi ndaj të Plotëfuqishmit. Gëzohuni kësaj dite për çdo çast që e kaloni me familjarët, shokët, dhe popullin tuaj.
Në emrin tim personal dhe në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare, të gjithë shqiptarëve të besimit islam, dhe gjith muslimanëve tjerrë anekënd botës, urime festën e Fitër Bajramit me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi dhe mirëqenie.  E gëzofshi Fitër Bajramin me gjith familjet e juaja.”

Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi ua ka uruar besimtarëve mysliman festen e Fitër Bajramit.

“Sakrifica dhe devotshmëria që karakterizojnë këtë Festë na bëjnë të fortë për të mos devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi, duke vazhduar me angazhimet e mëtejshme, si dhe me kultivimin e vlerave tona fetare dhe kombëtare. Uroj që kjo festë të përcillet me dashuri, respekt, solidaritet dhe me mirëqenie ekonomike për ju dhe familjet tuaja.Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, u’a uroj gjithë besimtarëve mysliman Festën e Fitër Bajramit.”   

Presidneti i Republikës së Maqedonisë , Gjorge Ivanov me rastin e festës së Fiter Bajramit uron besimtarët mysliman.

“Maqedonia gjithmonë ka qenë shembull i bashkëjetesës, respektit dhe mirëkuptimit. Më lejoni që në këtë ditë të thërras në bashkim dhe mirëqenie, sepse vetëm së bashku, me sinqeritet mund të bëjmë vepra që gjeneratat e ardhshme të mburren. Ju uroj lumturi dhe qetësi shpirtërore, besimtarëve të fesë islame gjithashtu ju uroj mirëqenie, dashuri dhe bereqet. Gëzuar Bajramin”.

Sekretari gjeneral Aleksandar Kiracovski në emër të LSDM-së uron festën e Bajramit besimtarëve të fesë islame.

“Të jemi fort të bashkuar në aspiratën e përbashkët për arritur marrëdhëniet reciproke në mes vete të cilat deri më tani u ndërtuan në shpirtin e mirëkuptimit dhe tolerancës. Së bashku të vazhdojmë në rrugën e krijimit dhe promovimit të vlerave të bashkësisë dhe prosperitetit të zhvillimit të Maqedonisë. Ju uroj Bajramin të nderuar bashkëqytetarë, edhe për shumë vite”, uron Kiracovski.

Po ashtu edhe nga VMRO urojnë besimtarëve të fesë islame festën e Fitër Bajramit.

“Bajrami për të gjithë muslimanët paraqet lumturi, dhe njëherit promovon dashurinë, besimin dhe paqen, si themel për krijimin e marrëdhënieve të mira me të afërmit. Respektimi i feve të ndryshme dhe kurimi i tolerancës nëpërmjet ndërtimit të dialogut është në interes të të gjithë qytetarëve të vendit tonë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button