Maqedoni, edhe pse është vepër penale, ende nuk ka dënim për thirrjet ofenduese ndaj shqiptarëve

Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar 10 persona për prishjen e rendit dhe sigurisë publike nga protesta e mbrëmshme për marrëveshjen për çështjen e emrit, por nuk ka arrestuar asnjë person për përdorimin e gjuhës së urrejtjes, gjegjësisht për sharjet dhe fyerjet ndaj shqiptarëve, të cilat gjithashtu janë vepra penale dhe dënohen me burg prej 1 deri më 5 vjet, shkruan Portalb.mk.

“Në kohën e protestës së djeshme, në ora 20:30, një pjesë e turmës, në të cilën ka pasur edhe grup të njerëzve që kanë qenë të maskuar me “fantome” në drejtim të Kuvendit dhe kordonit policor kanë gjuajtur me shishe, lëndë piroteknike, shufra hekuri, konserva dhe koktej molotvi”, u tha sot në buletinin e MPB-së, ku nuk shkruhej asgjë për thirrjet e protestuesve “shqiptar i mirë shqiptar i vdekur” (мртов шиптар, добар шиптар), “shqiptarët e mallkuar” (клетите шиптари), “policia e shqiptarëve” (шиптарска полиција) etj.

Portalb.mk, ka kontaktuar edhe me zëvendës/ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, i cili na tha që sot nuk është i lirë, ndërkaq për ndonjë ditë tjetër duhet të shkojmë në zyrën e tij që të njihemi, për të na dhënë deklaratë për çështjen në fjalë.

Nga ana tjetër, Qeveria e dënon gjuhën e urrejtjes, ndërkaq i bën thirrje MPB-së dhe Prokurorisë që ta zbardhë rastin, gjegjësisht të kapen personat që kanë përdorur fyerdje dhe sharje.

“E drejta e protestës është e drejtë e padiskutueshme e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë derisa rrezikohet siguria publike. Por, gjuha e urrejtjes dhe ofendimet si dhe përkrahjet e të njëjtave, janë të papranueshme dhe për çdo dënim, Maqedonia është e hapur, e lirë, një shoqëri për të gjithë në të cilën nuk ka vend për komunikim të tillë të pahijshëm, në shoqërinë tonë urrejtja dhe ndarjet duhet të ngelen të kaluara. Në ardhmërinë e Maqedonisë ka prosperitet dhe mundësi të shkëlqyer që nuk duhet të lëshohet, por duhet që të rrëmbehet për mëngjes më të mirë dhe ardhmëri më të mirë për të gjithë qytetarët dhe të gjithë gjeneratat e ardhshme për të cilën qytetarët vendosin. Qeveria e Maqedonisë e fton Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurorinë Publike dhe të gjithë palët e prekura që ta pastrojnë rastin deri në fund”, thonë nga Qeveria për Portalb.mk.

Portalb.mk, ka dërguar edhe e-mail zyrtar deri te Prokuroria, në lidhje me atë se a kanë ngritur ato ndonjë procedurë, sipas mënyrës “me të dëgjuar” në lidhje me atë se dje në protesta u bë shkelje e ligjit, gjegjësisht është përdorur gjuhë e urrejtjes, megjithatë ende nuk kemi përgjigje.

Gjithashtu edhe kryetari i Komisionit për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve, nuk na është përgjigjur në thirrjet tona telefonike dhe porosisë në telefon, në lidhje me rastin në fjalë.

Ndryshe, edhe paraprakisht, për çështjet e ndryshme politike, në protesta dhe tubime të ndryshme, të cilat kryesisht janë të organizuara nga përkrahësit e VMRO-DPMNE-së dhe organizatat e afërta me to, janë bërë thirrje nacionaliste dhe ofenduese për shqiptarët, por deri më tani ende askush nuk është dënuar për të njëjtat.

Më poshtë mund t’i shihni videot nga protesta e mbrëmshme:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button