Është themeluar Ansambli i valleve dhe këngëve popullore shqipe

Premtim: Themelim i institucionit folklorik shtetëror – Ansambli i folklorit shqiptar

Në programin zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në zgjedhjet e fundit parlamentate në pjesën “Kultura” është dhënë premtimi për formimin e Ansamblit të folklorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Ky premtim i BDI-së është realizuar.

Me 23 nëntor 2017, mediumet publikuan informacione e para për formimin e ansamblit shqiptar në Maqedoni. Atëherë detaje për formimin e këtij ansambli dha edhe Sekretari Shtetërorë në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri. Sipas tij, qendra e këtij institucioni do të jetë në Tetovë, ndërsa buxheti i parë vjetor, duke pasur parasysh pagat, investimet në kostumografi, instrumente dhe pjesën praktike do të arrijë vlerën rreth 800 mijë euro.

Me 12 dhjetor të vitit 2017, ministri i atëhershëm i Kulturës, Robert Allagjozovska, i pyetur për këtë iniciativë të BDI-së për krijimin e një ansambli të këtillë, deklaroi:

Përgjithësisht ne do të avancojmë kulturën e të gjithë bashkësive në Maqedoni dhe përfaqësuesit e BDI-së duke ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve me kombësi shqiptare që kërkuan krijimin e një ansambli kombëtar profesional, i cili do të kultivimin e folklorit shqiptar dhe traditave shqiptare. Ne, duke u nisur prej kësaj kërkese të bashkësisë së dytë më të madhem nuk kemi ndonjë problem që të ju dalim përballë këtyre kërkesave. Ashtu që, projekti i krijimit të një ansambli të këtillë do të realizohet në periudhën e ardhshme dhe për këtë janë siguruar para në buxhet. 

Ndërsa me 27 dhjetor të vitit 2017 zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, duke përmendur formimin e ansamblit shqiptar në profilin e tij në Facebook shkroi:

Formimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Burimore të Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë ka qenë prioritet mes projekteve shqiptare të parapara për vitin 2018 dhe sot, të nderuar, zyrtarisht në seancë qeveritare kaloi informacioni për themelimin e këtij Ansambli. Vlerat kulturore janë thelb për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet multietnik. Qoftë ky Ansambël një inicim i frytshëm për rritjen e vetëdijes kulturore dhe kombëtare.

Me 7 Mars të vitit 2018 mediumet njoftuan për vendimin e Qeverisë në lidhje me themelimin e Ansamblit:

Për shkak të kultivimit të këngëve dhe valleve të komunitetit shqiptar në Republikën e Maqedonisë, Qeveria në seancën e sotme mori vendim për themelimin e institucionit kombëtar „ Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe në Republikën e Maqedonisë” – Shkup,  si organizatë jofitimprurëse në fushën e kulturës.

Duke pasur parasysh këto informacione, premtimin për formimin e “Ansamblit shqiptar të valleve dhe këngëve në Republikën e Maqedonisë” e vlerësojmë si premtim të realizuar nga programi parazgjedhor i BDI-së.

Burimi: Vërtetmatesi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button