Thaçi: Vetëm një Kosovë dhe një Serbi evropiane mund të perëndimizojnë rajonin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se “sot, çdo shtet i Ballkanit Perëndimor komunikon normalisht me njëri-tjetrin, çdo shtet bashkëpunon me njëri-tjetrin. Duhet të shfrytëzohet ky momentum dhe BE-ja t’ia hapë portat Ballkanit Perëndimor”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se Presidenti Thaçi i cili ishte panelist në panelin “Evropa në udhëkryq”, në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës (IEFA), që po mbahet në Montreal të Kanadasë, ka dhënë mesazhin se Ballkani Perëndimor asnjëherë nuk ka pasur rast më të mirë për të ndërtuar paqe të qëndrueshme.

Ndërsa, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë panelit Thaçi ka thënë se ky dialog do të fillojë në ditët apo javët e ardhshme dhe do të jetë i vështirë.

Ai po ashtu ka thënë se pret rol udhëheqës dhe me një dinamikë të re nga Bashkimi Evropian dhe mbështetje të fuqishme të SHBA-së, që ky proces të përmbyllet suksesshëm, sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe në të mirën e të gjithëve.

“Kosova është gati për dialog, për marrëveshje, sepse vetëm kështu do të mund të lëvizim të sigurtë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian si dhe të ruajmë marrëdhënien speciale me SHBA-në dhe partneritetin me miqtë e tjerë. Vetëm një Kosovë dhe një Serbi evropiane mund të perëndimizojnë rajonin”, është shprehur presidenti Thaçi.

Duke folur për zhvillimet në BE, presidenti Thaçi ka potencuar se përkundër faktit që BE-ja po përballet me kriza dhe sfida që e prekin vetë identitetin e BE-së, qytetari evropian po tregon se më shumë se çdo ideje tjetër ende i beson idesë së integrimit dhe bashkimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button