ANALIZË: Ajo që për të pasurit është e ardhur mujore, për të varfrit është e ardhur vjetore!  

Çdo vit, mesatarisht, një familje e vendit disponon me 6.473 euro të ardhura të përgjithshme, ose 539 euro në muaj, por ky tregues i merr parasysh të ardhurat nga t gjitha burimet si rrogat, ndihmat sociale, ndihmë e njëhershme financiare, bursa, qiratë, të ardhurat nga jashtë. Situata me financat e vërteta me të cilat disponon një familje nga njëra anë, dhe përmbushja e nevojave për një jetë me dinjitet, nga ana tjetër, akoma nuk “për t’u lavdëruar”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Në publikimin e publikuar para do kohësh Entit statistikor “Shpenzimet e amvisërive në Maqedoni, 2017”, të dhënat tregojnë se ka dallime të thella sociale-ekonomike në bazë të lartësisë së të ardhurave me të cilat disponojnë familjet e vendit.

Vetëm 0,5% e amvisërive jetojnë shumë më mirë në nivel vjetor… 

Nga të ardhurat e përgjithshme me të cilat disponojnë amvisëritë e vendit, 63,1% bëjnë pjesë te rrogat, ose mesatarja vjetore e të ardhurave në bazë të rrogës në një familje është 4.150 euro, gjegjësisht 345 еuro në muaj. Të ardhurat tjera me radhë janë pensionet me 18,9%, ndërsa në vendin e tretë me 2,2% të ardhurat nga jashtë.

Grupi i parë i familjeve, që i përfshin familjet më të varfra, në vit disponon me 1.602 euro, ose 133 euro në muaj.
Grupi i dhjetë i familjeve, të cilin e përbëjnë familjet më të pasurat, në vit disponon me 16.587 euro, ose 1.382 euro, aq sa janë pothuajse janë të ardhurat vjetore me të cilat disponojnë më të varfrit. Pikërisht këto shifra e tregojnë hendekun e thellë ekonomik, gjegjësisht të ardhurat e të pasurve janë dhjetë herë më të larta se ato të të varfërve.
Midis këtyre dy grupeve të familjeve, ka edhe tetë grupe të tjera, grupi i parë, i dytë dhe i tretë jetojnë me të ardhura vjetore prej 2.472 euro deri në 4.299 euro.
Grupi i pestë dhe i gjashtë i amvisërive në vit disponon me të ardhura prej 5.200 deri në 6.000 euro dhe grupi i shtatë, i tetë dhe i nëntë i familjeve janë ato që kanë standard më të lartë, edhe atë të ardhura vjetore prej 7.130 deri në 10.250.

Shkupi, foto nga: Robert Atanasovski
Shkupi, foto nga: Robert Atanasovski

“Për fat të keq, të gjitha burime të të dhënave për standardin e jetesës tregojnë një përparim shumë të ngadaltë në drejtim të përmirësimit të standardit të jetesës, veçanërisht në mesin e grupeve të rrezikuara të popullsisë. Në të vërtetë, edhe përkundër përparimit në tregun e punës (në drejtim të rritjes së punësimit dhe rritjes së rrogave), të dhënat për mjetet që janë në dispozicion dhe konsumimi sinjalizojnë se disa grupe të qytetarëve (amvisërive) mbeten në margjinat e shoqërisë. Ato janë kryesisht familjet me shumë anëtarë (numri mesatar i anëtarëve te familjet më të varfra është rreth 5), një pjesë e vogël e të gjithë anëtarëve të familjes janë të punësuar (p.sh., 0.36 e anëtarëve te më të varfrit janë të punësuar kundrejt 1.49 te më të pasurit), nuk kanë burimet (për shembull, tokë bujqësore), marrin transfere shumë të vogla nga jashtë, etj. Në këtë grup të familjeve, të ardhurat nga puna marrin pjesë vetëm me 11% të të ardhurave të përgjithshme, ndërsa burimi kryesor i të ardhurave janë pensionet (51.5%), të ardhurat nga punësimi jo i rregullt (15.5%) dhe ndihma sociale (8,8%)” – thotë për Portalb.mk profesoresha Nikica Mojsovska Blezhevski.

Shuma e të ardhurave është faktor kyç për cilësinë e jetës, veçanërisht në pjesën e plotësimit të nevojave themelore për jetesë.
Kështu, hulumtimi tregon se, për shembull, më të varfrit, për t’u ushqyer për çdo vit shpenzojnë 890 euro, ndërsa më të pasurit për ushqim shpenzojnë 4.044 euro, si dhe se kategoria më e varfër e familjeve për shëndetësi shpenzon 45 euro në vit, kurse më të pasurit 558 euro.

Në përgjithësi, vetëm 5.5 për qind e familjeve të anketuara kanë deklaruar se me të ardhurat e tyre mujore arrijnë që plotësisht t’i kënaqin nevojat e tyre mujore, 38 përqind e të anketuarve kryesisht i përmbushin nevojat e tyre mujore, 34.6% kryesisht nuk i kënaqin nevojat e tyre, ndërsa 22 për qind e familjeve kanë deklaruar se me të ardhurat e tyre mujore nuk i plotësojnë nevojat mujore për jetesë.

“Problemet e këtyre familjeve të rrezikuara ose të margjinalizuara janë shumëllojshme dhe nuk mund të kapërcehen thjesht vetëm me rritje më të lartë ekonomike. Ka nevojë për një koordinim më të madh të politikave qeveritare, nga politika për punësim, ndihmë sociale, arsim etj. Në të njëjtën kohë, ekziston një kufizim i madh për politikat publike, e ato janë fondet e kufizuara buxhetore në kushte të tatimeve të ulëta, ekonomisë së lartë joformale dhe nevojave të mëdha për investime në shumë sfera. Në politikën sociale, të dhënat për strukturën e të ardhurave tregojnë se ka hapësirë ​​të madhe për përmirësim të mëtejshëm të targetimit të ndihmës.
Për shembull, familjet me të ardhura të larta kanë treguar një nivel të lartë të mjeteve nga fondet e sigurimeve shoqërore.

Dy realitete në Shkup, foto nga: Robert Atanasovski
Dy realitete në Shkup, foto nga: Robert Atanasovski

Gjithashtu, disa hulumtime kanë treguar se efektiviteti i sistemit për ndihmë sociale është i ulët dhe se me shpenzimet e njëjta mund të arrihen efektet shumë më të mëdha. Në tregun e punës duhet të bëhen përpjekje shtesë për ta rritur përfshirjen e grupeve të rrezikuara të qytetarëve (për shembull, nga familjet e shumë-anëtarëshe, nga familjet me anëtarë të papunë etj.). Deri tani janë bërë përpjekje për të siguruar punësim më të madh të pranuesve të ndihmës financiare sociale, por efektet ishin mjaft të ulëta (për arsye të ndryshme)” – thotë për Portalb.mk. profesoresha Mojsovska.

Hulumtimi tregon se 0.5% e familjeve në vend kanë vlerësuar subjektivisht se në vitin 2017, në krahasim me vitin 2016, gjendja e tyre financiare është përmirësuar shumë, ndërsa 7.9% kanë thënë se është pak më e mirë. Numri më i madh i familjeve, ose 58.2%, kanë deklaruar se gjendja financiare në periudhën e krahasuar ka mbetur e pandryshuar. Nga ana tjetër, 21.7% e familjeve vlerësuan se situata u është përkeqësuar pak, ndërsa 11.7% kanë deklaruar se financiarisht jetojnë shumë më keq se sa në vitin 2016.

Pjesa më e madhe e familjeve në vend ose 21.8% mendojnë se mund të jetojnë normalisht me të ardhura mujore prej 25.001 deri 35.000 denarë, ndërsa 5.4% kanë deklaruar se mund të jetojnë madje edhe me të ardhura deri në 15.000 denarë.
Megjithatë, për 16.3% të të anketuarve për jetë normale u nevojiten prej 35.001 deri 45.000 denarë, për 11,9% nevojiten nga 45.001 deri në 55.000 denarë, një përqindje më e lartë ose 15.9% konsiderojnë se në muaj nevojiten prej 55.001 deri në 65.000 denarë, e poashtu ka edhe të tillë, apo 14.3% kanë deklaruar se për jetesë normale, nevojiten më shumë se 65.000 denarë.

Publikimi i sapo publikuar i Entit statistikor zbulon se, sipas gjendjes financiare, 31.3% e familjeve mund t’ia lejojnë vetes një pushim njëjavor, kurse vetëm 9.8% zëvendësim të mobileve të vjetra. Ngrohja adekuate e shtëpisë/banesë është e arritshme për 67.3% të familjeve, ndërsa sipas fuqisë financiare, 52.8%, mund t’ia lejojnë vetes të hanë peshk ose mish çdo muaj të dytë. Vetëm 28.4% e të anketuarve kanë deklaruar se mund t’i paguajnë kreditë apo t’i kthejnë borxhet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button