Integrimi shihet si shpëtim për ekonominë e Maqedonisë

Njohësit e çështjeve ekonomike theksojnë se stagnimi i zhvillimit ekonomik mund të jetë me pasoja fatale për Maqedoninë në aspektin e mirëqenies sociale, nëse vendi nuk arrin të zhbllokojë proceset integruese dhe me këtë të marrë, siç thotë, infuzion financiar.

Ekspertët thonë se rritja ekonomike prej vetëm 0.1 gjatë fillimit të këtij viti paraqet alarm se shteti është në prag të recesionit, shkruan REL.

Ndërkohë, gjatë të hënës ministri i Financave në Maqedoni Dragan Tevdovski ka paralajmëruar realizmin e programit të reformave ekonomike 2019 – 2021, përmes së cilave synohet përshpejtimi i rrugëtimit të Maqedonisë drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

Ministri i Financave Dragan Tevdoski ka theksuar se ngecjet në ndërtimin e autostradave janë shkaktarë për rritjen e vogël të ekonomisë në tremujorin e parë, megjithëse ka shtuar se kjo Qeveri ka ndërprerë investimet në fasadat barok, për të mos shpenzuar paratë e qytetarëve dhe kjo sipas tij ka ulur edhe rritjen ekonomike.

Alaudin Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia sa më afër familjes evropiane të jetë, aq më shumë do të ketë qasje në fondet evropiane, që i japin shtytje zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Megjithatë, Zeqiri thekson se rritja ekonomike prej 0.1 për qind paraqet kambanë alarmi se gjërat po shkojnë shumë keq në planin ekonomik në vend.

“Sigurisht se nëse analizohet pjesa integruese, përkatësisht çdo shtet që është pretendent për të qenë pjesë e BE-së shfrytëzon fonde plotësuese. Megjithatë, rritja ekonomike prej vetëm 0.1 për qind në pjesën e parë të këtij viti paraqet alarm për Qeverinë, andaj nevojitet që sektori i ekonomisë të ketë një zgjim për të ngritur rritjen ekonomike”, thotë Zeqiri.

Ekspertë vlerësojnë se për t’u arritur shkalla e projektuar nga ana e Qeverisë prej 3.2 për qind e rritjes ekonomike do të duhet që deri në fund të vitit, në tre tremujorët e ardhshëm, Maqedonia të shënojë rritje prej 4.2 për qind, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në Maqedoni.

Eksperti i ekonomisë, Zoran Ivanovski për Radion Evropa a Lirë thotë se Qeveria duhet të fokusohet në realizmin e investimeve kapitale, sipas të cilit, realizimi i reformave në planin ekonomik, ecë me dinamike tejet të ngadalësuar.

“Çështje thelbësore mbetet kapaciteti kësaj përbërjeje qeveritare që t`i realizojë projektet e planifikuara kapitale. Të detektojë pikat se ku duhet vepruar dhe eliminojë të gjitha pengesat gjatë fazave të ndryshme të realizmit të tyre, me qëllim që t’u mundësohet të punojnë me kapacitet të plotë kompanitë në sektorin e ndërtimtarisë, si degë shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë”, thotë Ivanovski.

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE edhe sot përmes një komunikate për mediat ka akuzuar dhe ka kërkuar përgjegjësi, nga siç theksojnë, treshja që e ka futur në kolaps financiar vendin kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev dhe ministri i Financave, Dragan Tevdoski.

“Paaftësia e Qeverisë së socialdemokratëve e ka çuar vendin në humnerë. Produktet gjithnjë e më shumë shtrenjtohen dhe këtë presion të varfërimit e ndjejnë në kurriz qytetarët. Askush gjerë më tani s`ka marrë përgjegjësi. Kjo është e patolerueshme”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

Përderisa, Qeveria e Maqedonisë për momentin nuk ka dalë me qëndrim nëse do ta ulë projeksionin për rritje ekonomike prej 3.2 për qind për këtë vit. Banka Botërore e ka korrigjuar projeksionin për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë në 2.3 për qind për vitin 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button