Insistimi amerikan për çështjen e emrit me Greqinë pritet të jep rezultat pozitiv

Spekulime të shumta sillen rreth zgjidhjes së çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, por megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me finalizimin e bisedimeve rreth këtij problem. Zëdhënsi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski konfirmoi për Portalb.mk se është realizuar biseda mes kryeministrit të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. Biseda ka zgjatur një orë dhe është realizuar mes orës 14 dhe 15.

Nesër sërish do të dëgjohen dy kryeministrat, konfirmoi Boshnjakovski.

Një gjë është bërë e qartë e ajo është që Maqedonia ka përkrahjen nga Shtetet e Bashkuara Amerikane (SHBA), që ky proces të kryhet me sukses.

Njohësit e politikës së jashtme, thonë për Portalb.mk se ndikimi amerikan është i madh dhe se insistimi i tyre për të zgjidhur këtë çështje do të jep rezultat pozitiv.

Ish ambasadori Alajdin Demiri thotë për Portalb.mk se aty ku insistojnë SHBA-të me diplomacinë e tyre, gjithmonë punët kryhen me sukses.

“Aty ku insistojnë SHBA-të me diplomacinë e tyre, gjithmonë punët kryhen me sukses. Në këtë fazë ku kanë arritur negociatat për emrin, jo se ato kanë përfunduar, jo se ato kanë ndonjë rezultat, por është një shtrëngim rreth të cilit duhet të hekurosen disa koncepte apo disa nocione dhe unë mendoj se në këtë fazë edhe Greqia edhe Maqedonia konsistojnë në një nevojë që të intervenohet nga jashtë si një garanci. Natyrisht garancia më e fuqishme janë SHBA-të dhe kam përshtypjen që kjo do të jetë punë e kryer me sukses”, tha për Portalb, Demiri.

Gjithashtu edhe ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin shprehet për Portalb.mk se  vetë fakti që ka hapësirë dhe filluan komunikimet dhe negociatat për emrin mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksisi Cipras rreth zgjidhjes së emrit, hap perspektiva që ky kusht të tejkalohet.

“Së pari mendoj që në këtë periudhë, gjegjësisht para samitit të NATO-s, gjithmonë hapet debat rreth aspirantët për anëtarësim në aleancë, sidomos tani që ka hapësirë për zgjerim. Për këtë  çështja e emrit është e rëndësishme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.  Në këtë drejtim mund të konstatojmë se eksiton princip i qartë që hyrja e Maqedonisë në NATO varet së pari nga fqinjësia e mirë dhe zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë. Vetë fakti që ka hapësirë dhe filluan komunikimet dhe negociatat për emrin mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksisi Cipras rreth zgjidhjes së emrit, hap perspektiva që ky kusht të tejkalohet, tha Ruzhin.

Ai shtoi se diplomacia e heshtur amerikane punon në zgjidhjen e emrit duke kryer presion ndaj Athinës.

“Diplomacia e heshtur amerikane punon në zgjidhjen e emrit, kryen presion ndaj Athinës. Amerikanët bëjnë presion jo vetëm për faktin se me Maqedoninë kanë nënshkruajtur marrëveshje për bashkëpunim dhe që kërkojnë që Maqedonia të bëhet anëtare por edhe nga rreziku që ekziston momentalisht në detin Jon, ku ka tension të madh mes forcave turke dhe greke. Kështu që edhe për Greqinë është gjë pozitive që Maqedonia të anëtarësohet në NATO edhe për Amerikanët. Kështu që besoj që presioni i SHBA-së do të jep rezultat dhe më në fund do të zgjidhet çështja e emrit. Edhe nëse ndodh që Maqedonia të mos anëtarësohet në NATO, Ambasada Amerikane bëri të qartë që gjithmonë do të kemi mbrojtjen e tyre”, shtoi Ruzhin.

Ndërkaq ndihmës sekretari shtetëror për Evropë dhe Euroazi, Ves Miçel kohë më parë deklaroi se SHBA-të vazhdojnë të luajnë rrol të heshtur në procesin e zgjidhjes së kontestit rreth emrit të Maqedonisë dhe Greqisë, njofton Portalb.mk.

Po ashtu edhe një herë u bë e ditur se SHBA tanimë gjatë kohë i jep mbështetje Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me zgjidhjen e kontestit me emrin, këtë e theksoi ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, njofton Portalb.mk.

Miçel: SHBA zhvillon diplomaci të heshtur për kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë

Bejli: Zgjidhja e çështjes së emrit është pozitive për të dyja vendet dhe për rajonin

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button