Ramazani muaji i ngritjes dhe i ripërtëritjes shpirtërore

Shkruan: Hasan BAFTJARI

Abdullah ibni Abbasi thotë: dëgjova nga i Dërguari i Zotit se Xhenneti nga viti në vit zbukurohet për shkak të ardhjes së muajit të Ramazanit.

Agjërimi është mishërim praktik i konceptit universal islam, i cili nuk bën dallim ndërmjet asaj që është shpirtërore dhe materiale. Gjatë agjërimit, myslimani përmes lënies së ushqimit dhe gjërave të tjera që e prishin agjërimin, e që përbëjnë elementin material, bën pastrimin e shpirtit, duke i hedhur veset e liga dhe punët jo të hijshme, që përbëjnë elementin shpirtëror.

Po ashtu, në agjërim mishërohen edhe aspektet e tjera, të cilat përfaqësojnë dimensionin shpirtëror, si: humanizmi, bamirësia, solidariteti, urtësia, durimi, bujaria, ndershmëria, mëshira, butësia, falja, pendimi, devotshmëria etj.

Profeti (a.s) thotë: “Agjërimi është mbrojtje nga zjarri i Xhehenemit. Secili që agjëron, le mos te sillet keq kur agjëron, e nëse dikush sillet keq ndaj tij,atëherë ky le mos ta ofendojë e as le mos ta fyejë, por le të thotë: Unë jam agjërueshëm. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut”. (Hadithi është i saktë, e transmeton Nesaiu).

Në këtë kontekst, dijetari me famë i shekullit të kaluar, Muhamed Gazali, thotë: “Islami e bëri të obligueshëm agjërimin, me qëllim që njerëzit të stërviten për të zotëruar epshet e tyre, të mos u nënshtrohen, por t’i kontrollojnë ato”.

Përmes agjërimit, njeriu mësohet t’i shprehë falënderim Allahut të Madhërishëm, i Cili ia fali njeriut këto të mira në formën më të denjë. Ka besimtarë, të cilët posedojnë pasuri dhe ndoshta asnjëherë në jetën e tyre nuk  kanë ditur se çdo të thotë mjerim, mirëpo përmes agjërimit arrihet një trajnim praktik për përballimin e urisë dhe mjerimit.

Derisa besimtari agjëron, ai e kupton në lëkurën e vet, pra përmes provave praktike, se çdo të thotë skamje dhe uri, prandaj ai e falënderon Allahun Fuqiplotë edhe në mënyrë më të denjë për të mirat që ia ka falur.

Përmes agjërimit dhe disa elementeve tjera që janë veçori e këtij muaji, Ramazani thërret në solidaritet dhe e mëson njeriun të jetë bamirës.

Kështu, gjatë Ramazanit besimtari duke agjëruar e kupton gjendjen e atyre që s`kanë, e kupton se çdo të thotë të mos kesh çka të fusësh në bark, e kështu ai, pas agjërimit bëhet më bujar, më bamirës ndaj të tjerëve, më i interesuar për gjendjen ekonomike dhe materiale të vëllezërve të tij, gjë që në fakt paraqet thelbin e besimit islam.

Gjatë Ramazanit besimtarët e mbushin kohën duke kërkuar mëshirën e Allahut, falje dhe mbrojtje nga zjarri i Xhehenemit. Ky është muaji, në të cilin ne rifreskojmë zotimin dhe e forcojmë akoma më tej lidhjen me Krijuesin. Ramazani është stina e pranverës e mbushur me mirësi e virtyte, ku e mira lulëzon në të gjithë bashkësitë myslimanë anekënd.

Një element tjetër që mbështet këtë koncept dhe mesazh te agjërimit janë edhe thëniet e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (a.s), në të cilat lavdërohet ai që ushqen një agjërues në Ramazan. Profeti (a.s) thotë: “Kush ushqen ndonjë agjërues ose përgatit ndonjë iftar, do të ketë shpërblim sikur ai që agjëron”. Bëni përpjekje që të ftoni në shtëpi dikë, me të cilin mbani lidhje të ngushta dhe çelni iftar me ta të paktën njëherë në javë. Ju do t’i shihni vetë begatitë e kësaj mirësie! Jepini jetë familjes suaj! Mundohuni që çdo ditë ta përfundoni agjërimin me familjen tuaj, në mënyrë që ta kuptoni më mirë njëri-tjetrin.
Dijetari i shquar Muhamed Gazali thotë: “Agjërimi është një obligim i vështirë, por rrënjos tek njeriu ideale të larta, i nxit të kryejnë vepra të mira dhe të largohen nga çdo e keqe. Agjërimi i mëson njeriut të vlerësojë dhe shpresojë vetëm për atë që është e lëvdueshme dhe të heqë dorë nga ajo që është e ulët. I mëson si të jetë i gatshëm dhe i shpejtë për të kryer atë vepër, që e kënaq Zotin e tij dhe të braktisë gjithçka, që bëhet shkak për zemërimin e Tij”.

Është më se normale që besimtari ta intensifikojë ibadetin në këtë muaj, sepse asnjëri nuk e di se a do të ketë rast që edhe vitin tjetër të arrijë muajin e Ramazanit. Sa ka prej atyre që Ramazanin e kaluar ishin bashkë me ne në namazet e teravive, por ja që tash janë nën dhé, sa e sa prej atyre që agjëruan bashkë me ne Ramazanin e kaluar tani janë të shtrirë nëpër spitale dhe nuk mund të agjërojnë. Për këtë, muaji i Ramazanit duhet shfrytëzuar maksimalisht, sepse është mirësi e Allahut Fuqiplotë që në këtë muaj veprat i shpërblen më tepër.

Megjithëse Ramazani mund të duket një muaj i lodhshëm dhe i vështirë, në të vërtetë është një kohë e këndshme. Në çdo shtëpi, në çdo xhami dhe madje në mbarë popullin mysliman, mbizotëron një atmosferë e veçantë. Myslimanët mezi e presin ardhjen e Ramazanit dhe ndjejnë një lloj trishtimi, kur ditëve të këtij muaji u vjen fundi.

Imam Ebu hamid el-Gazali thotë: “Kushdo që i frikësohet diçkaje nga krijimi i Allahut, largohet prej saj, ndërkohë që kushdo që i frikësohet Allahut, vrapon drejt Tij”.

Le të fillojmë të jetojmë një muaj devotshmërie në këtë Ramazan, me qëllim që t’i shmangim gjembat që na zënë udhën në formën e tundimeve, që i hasim si në mendje ashtu edhe në shoqëri. Ta shtojmë studimin e Kuranit në këtë muaj. Thuhet se, kur e do dikë, di edhe imtësitë më të hollësishme që ai thotë, se çka i pëlqen dhe çka nuk pëlqen. Kësisoj, si mund të pohojmë se e duam Allahun e Madhërishëm, kur ende dimë shumë pak rreth mesazhit të Tij dhe mirësive që na ka dhuruar? Ramazani është një rast i rrallë për një reflektim të thellë në mesazhin e Kuranit. Ai është burimi i një transformimi të vazhdueshëm në jetët e miliona njerëzve, që kanë një zemër të gjallë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Në të gjitha këto, ka argumente për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje.” (Kaf: 37)

Transmetohet se imam Zuhri ka thënë për Ramazanin: “Ai është leximi i Kuranit, që është ushqimi i njerëzve”. Muaji i Ramazanit është momenti i fillimit të shpalljes së Kuranit, prandaj edhe quhet muaji i Kuranit, i shpalljes, i profecisë. Prej atij momenti fillon edhe formimi i një grupi islam, e më vonë edhe themelimi i Botës islame. Shikoni myslimanët, të cilët në betejën e Bedrit, betejë e cila u zhvillua në ditën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, edhe pse ishin pakicë, korrën fitore bindëse ndaj idhujtarëve, ashtu siç e përmend dhe Kurani Famëlartë.

A mendoni se ata do të korrnin sukses, sikur të mos kishte përforcuar agjërimi në shpirtrat e tyre fuqinë, të vërtetën dhe lirinë e plotë shpirtërore?  Agjërimi i mundëson myslimanit të luftojë kundër joshjeve të shpirtit. Kjo e fuqizon vendosmërinë e tij dhe kjo po ashtu është mjaft e rëndësishme për këdo, që fton për tek Allahu dhe përpiqet për hir të Tij. Agjërimi e mban myslimanin çdo ditë të këtij muaji larg prej joshjeve dhe gjërave të ndaluara. Kjo e ndihmon atë që të shmangë gjërat e ndaluara gjatë kohës së mbetur. Ky është shpirti i agjërimit që i bëri të parët tanë vepërmirë të përballeshin me sfida nga më të pamundshmet. Ishte koha e veprimtarisë intensive, duke e kaluar gjithë ditën duke punuar dhe duke u falur, si dhe duke kërkuar falje tek Allahu i Lartësuar.

Ndërsa sot, botën islame e ka mbuluar thatësira, trazirat, çoroditjet e përhapura dhe joshjet materiale. Me të vërtetë ne kemi nevojë për besimtarë, të cilët do të ecin në hapat e Profetit tonë të dashur, Muhamedit (a.s), që do të marrin mësim dhe nga shembujt e sahabëve. Me të vërtetë ne kemi nevojë për myslimanë, agjërimi i të cilëve është i plotë dhe jo thjesht burim urie dhe etjeje. Allahu na mundësoftë të jemi një brez myslimanësh, që do ta përhapin Islamin anembanë globit në mënyrë të përshtatshme për kohët tona. Ramazani është muaji i ngritjes dhe i ripërtëritjes shpirtërore dhe është në dorën e gjithsecilit prej nesh se sa do të përfitojmë prej tij.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button