A do ta përdorin abetaren e përbashkët nxënësit shqiptar?

Maqedonia dhe Shqipëria ende nuk kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në sferën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë. Një veprim i tillë lë hapësirë për të dyshuar se nxënësit shqiptar të Maqedonisë në shtator nuk do të kenë mundësi për të lexuar nga e njëjta abetare të cilën e përdorin nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës, gjegjësisht Abetaren e unifikuar.  

Janë duke u bërë gati dy vite që Maqedonia dhe Shqipëria janë pa marrëveshje bashkëpunimi, pasi prej janarit të 2011-s, kur edhe ka skaduar afati i Marrëveshjes nuk ka ndonjë iniciativë që të ripërtërihet e njëjta. Kjo do të thotë se mes dy shteteve fqinje nuk ka bazë juridike për bashkëpunim dhe nëse nuk krijohet e njëjta atëherë as me ligj MASH nuk do të mund të përdorimin e Abetares së unifikuar .

I pyetur nga Portalb për këtë çështje zv/ministri i arsimit Safet Neziri tha se çështja e abetares nuk është e mbyllur si proces i tillë dhe se janë zhvilluar disa biseda me autoritete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ai mendon  se në këtë drejtim do të punohet edhe në të ardhmen. 

“Çështja nuk është e mbyllur dhe po punojmë” tha shkurt Neziri duke mos komentuar mundësinë që  nxënësit tonë gjithnjë të mbeten jashtë mësimit nga kjo abetare. 

Kryetari i lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë (LASH), Nuhi Dardhishta tha ende pritet shqyrtim nga ekspertët për të parë se a është e mundur një gjë e tillë të bëhet.

“Këtu nuk ka ndonjë problem për abetaren e përbashkët mes Maqedonisë,unë kam biseduar me ministrin dhe ai më tha se do të shqyrtohet kjo çështje edhe nga ekspertët tanë dhe të shihet. Ministri më ka thanë se çdo gjë është e mundur dhe duhet të analizohet a është kompatibile për programin e Maqedonisë” tha Dardhishta. 

Për gabimet në tekstet shkollore shqitare Dardhishta sa se çdo herë ka pasur dhe do të ketë të tilla.

“Tekstet asnjëherë nuk mund të jenë të përsosura, gjithmonë mund të ketë probleme. Punohet në përmirësimet dhe janë përmirësuar të gjitha gabimet mirëpo kur do të dalin kur do të shtypen ajo varet nga Ministria e Arsimit. Unë kam pasur takime direkte që këto gabime të korrigjohen sepse përndryshe do të ketë probleme prapë me tekstet shkollore” tha Dardhishta.

Pas përzgjedhjes së shtëpisë botuese që do të botojë Abetaren mbarë kombëtare, pedagogu Fadil Lushi tha se abetarja e cila cilësohet si abetare mbarë kombetare shqiptare, nuk i ka përfillur shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të zi dhe Luginës së Preshevës./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button