VV për lobimin e Kadri Veselit për vizat: Kjo gjë nuk bëhet nga njerëz të korruptuar

Kryeparlamentari Kadri Veseli sot bashkë me një delegacion është nisur për në Vjenë të Austrisë për të lobuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. I shoqëruar nga deputetë të grupeve parlamentare nga pozita dhe opozita, do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Përfaqësues të partive politike në vend nuk besojnë se ky lobim do t’i sjellë vizat, madje sipas tyre as Kadri Veseli nuk është personi adekuat për këtë gjë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi për Periskopin ka thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë t’i kenë vizat sa më shpejt, por së pari duhet të luftohet korrupsioni pasi lobimi nuk i sjell vizat.

‘Sikur krejt qytetarët në Kosovë, edhe ne jemi për m’u heq vizat sa më parë. Ne kemi qenë kundër këmbimit të territorit me viza sepse qytetararët i meritojnë vizat pa i dhënë ato 8 mijë e 200 hektarë. Por natyrisht që njerëzit që u prijnë institucioneve kanë obligim që të punojnë në drejtimin që vizat sa më parë të hiqen, nëse ajo varet prej lobimeve. Lobimi ndikon por do të ishte shumë më mirë që udhëheqësit ta luftojnë korrupsionin, e para se me luftu, ata vetë të mos korruptohen. Kjo do të ishte ndihmesa më e madhe për heqjen e vizave’ , thotë Kurteshi për Periskopin.

Sipas tij, lobimi nuk mund të bëhet nga njerëz që vetë janë të korruptuar, duke aluduar tek Kadri Veseli.

‘Pa u tejkaluar edhe kjo sfidë serioze, vizat vështirë që do të hiqen. Shpresojmë që qytetarëve do u hiqet edhe kjo pengesë. Kjo mund të ndihmojë por nuk është vendimtare dhe një gjë e tillë nuk mund të bëhet nga ata që janë vetë të korruptuar, ajo është problem’, thotë Kurteshi.

Kundër këtij lobimi ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se nuk i bashkohen turit lobues të Veselit.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.

”Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës”, ka shtuar Hoti.

Në këtë vizitë zyrtare në Austri, kryeparlamentari Veseli do të shoqërohet nga një përfaqësues i secilit Grup Parlamentar: Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Teuta Rugova, Evgjeni Thaçi Dragusha, Time Kadrijaj, Adem Hodza dhe Fikrim Damka.
Këto vizita të delegacionit po bëhen në prag të daljes së raportit për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button