Okteti i muzave rinore

“Okteti i muzave rinore” është libri i parë i grupit letrar “Jusuf Gërvalla”, grup ky i cili funksionon tashmë dy vite pranë shkollës së mesme ekonomike juridike të qytetit të Shkupit, Arseni Jovkov.

Ideja e përmbledhjes së shkrimeve të 8 autorëve të rinj, anëtarë të grupit letrar, ka lindur si nevojë e promovimit dhe stimulimit të kapaciteteve të reja të cilët pretendojnë të futen në botën e madhe të artit të fjalës së shkruar.

Mjaft të rinj të talentuar, mishërohen me vargjet por shumë shpejt ndahen prej tyre, si shkak i mos pasjes së mundësisë së promovimit të tyre apo hedhjes në ndritën e botimit.

“Pasi që ky art padyshim është produkt i shpirtit, vlerësuam se është mjaft e nevojshme të shprehim shqetësimet tona shpirtërore lidhur me dukuri të ndryshme që na rrethojnë, duke e bërë këtë libër një mozaik të motiveve dhe tetë muzave rinore” – thekson Arlinda Baftiu, koordinatore e projektit dhe bashkautore e librit.

Ky libër jo shumë voluminoz përmban poezi, prozë e dramë të shkruara nga tetë bashkautorët: Besar Ahmeti, Hafsa Feta, Dardana Sadiku, Jetmir Asani, Besnik Mustafa, Galdina Mici, Halime Arifi dhe Arlinda Baftiu.
Librin e ka redaktuar Puntorie Muqa Ziba.


Botimin e librit e ka ndihmuar shtëpia botuese Logos A dhe shtypshkronja Fokus. Promovimi modest është organizuam me date 26 qershor në Qendrën Kulturore dhe Informative ndërsa libri është pritur mjaft mirë nga bashkëmoshatarët dhe të gjithë ata që tashmë e kanë në duar.

“Shpresojmë qe ky projekt të jetë shtytës për botimin e librave tjerë në kuadër të grupit tonë letrar, por gjithashtu urojmë të kemi motivuar të gjithë ata bashkëmoshatar të cilët kanë prirje për të shkruar” – thotë Arlinda Baftiu./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button