Norvegji, një vit nga masakra e Breivik

Norvegjia përgatitet të përkujtojë këtë të dielë 77 jetët që humbën në sulmin e një viti më parë, kur ekstremisti Anders Behring Breivik realizoi masakrën më të përgjakshme në kohë paqeje në vendin skandinav. 

Ndikuar nga ide neonaziste dhe raciste, 33-vjeçari Breivik ekzekutoi 69 persona në një ishull të rinjsh, orë pasi një bombë e vendosur pranë selisë së qeverisë në Oslo shkaktoi tetë viktima.

242 persona mbetën të plagosur në të dy këto sulme, ndodhur në 22 korrik 2011.

Shërbime fetare, një koncert dhe evenimente të tjera përkujtimore janë vendosur që të mbahen në të gjithë Norvegjinë.

Kryeministri Jens Stoltenberg do të vendosë lule në një monument përkujtimor në ishullin e Utojës  dhe me mijëra qytetarë priten ta shoqërojnë në këtë akt nderimi.

Breivik, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjeve, por jo përgjegjësinë kriminale, është në proces gjykimi dhe muajin e ardhshëm, gjykata do të shprehet nëse do të vendosë ndaj tij burgimin e përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë apo shoqërimin në një klinikë të shëndetit mendor. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button