Një vit nga bllokada saudite ndaj Katarit, zgjidhja e krizës nuk duket askund

Sot bëhet një vit që kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe bllokuan Katarin, ndërsa ende zgjidhja e krizës nuk duket askund në horizont e cila është më rënda që nga Lufta e Gjirit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Katër vendet e Gjirit në ditën e sotme të vitit të kaluar ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe bllokuan hapësirën ajrore të Katarit kurse autoritetet saudite i mbyllën edhe kufijtë tokësorë.

Këtij veprimi të befasishëm i parapriu publikimi i një teksti në Agjencinë e lajmeve të Katarit (QNA), në të cilin emiri i Katarit kritkoi ashpër SHBA-të dhe mbështeti Iranin. Mirëpo, emiri Sheikh Temim Al Thani mohoi të kenë qenë këto deklarata të tij, duke thënë se ky është një tekst i publikuar nga hakerët në një sulm kibernetik ndaj QNA-së.

Mediat në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt intensifikuan kritikat ndaj Katarit, ku e gjitha rezultoi me bllokadë. Arabia Saudite dhe aleatët e saj akuzuan Katarin për mbështetje të terrorizmit.

Presidenti amerikan Donald Trump mbështeti bllokadën e Katarit duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit. Nga ana tjetër Pentagoni njoftoi se do të vazhdojë praninë ushtarake në Katar dhe se nuk do të ketë ndryshime të aktiviteteve në bazën ajrore Al Udaid nga ku forcat e SHBA-së kryejnë operacione në Afganistan, Irak dhe Siri.

Për dallim nga Trump, Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan bllokadën e vlerësoi si të papranueshme dhe në biseda me udhëheqësit e rajonit ka tentuar të ndihmojë në tejkalimin e mosmarrëveshjeve.

Katari deri në bllokadën e rrugës tokësore nga Arabia Saudite ka importuar 75 për qind të gjithë mallarave, kurse mungesa e ushqimit dhe nevojave të tjera u tejkalua me hapjen e rrugëve të reja detare dhe ajrore për mallra nga Turqia dhe Irani.

Turqia pak pas embargos ndaj Katarit shtoi dukshëm praninë ushtarake në bazën ushtarake, mbyllja e së cilës është një nga pikat në listën e kërkesave të dorëzuara Katarit nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj.

Në listën e kërkesave janë edhe 12 pika tjera, përfshirë edhe mbylljen e rrjetit meidatik Al Jazeera dhe pagesën e kompensimit vendeve që kanë pësuar nga pretendimet për kinse mbështetjen katarase të terrorizmit.

Autoritetet e Katarit kategorikisht kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat me të cilat ngarkohet, ndërsa pikat e parashtruara në kërkesë i konsideron si goditje ndaj sovranitetit të tyre.

Kuvajti, Omani dhe më vonë edhe SHBA dhe BE kanë nisur iniciativën për zgjidhjen e krizës së Gjirit, por asgjë nuk çoi në debllokimin e Katarit.

Katari në tetë muajt e fundit ka ndarë 25 miliardë dollarë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Me forcimin e bashkëpunimit tregtar me Omanin, Turqinë, Iranin dhe Pakistanin, Katari ka parandaluar që bllokada të shkaktojë mungesën e mallrave në vend dhe në këtë mënyrë ka tejkaluar edhe varësinë tregtare të deritatëhershme nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj.

Katarasit bllokadën e kanë konsideruar si një padrejtësi të madhe dhe mbështetja e tyre për Emirin Al Thani është forcuar dukshëm. Posterët e Al Thanit mund të shihen në shumicën e objekteve, qendrave tregtare dhe në të gjitha vendet tjera në Katar.

Analistët janë të mendimit se kriza aktuale e Gjirit mund të shkaktojë ndryshime afatgjate të marrëdhënieve dhe dinamikë në Gji, dhe në këtë kontekst e krahasojnë me krizën gjatë luftës së Gjirit të viteve ’90-ta të shekullit të kaluar.

Eksperti për marrëdhënie në vendet e Gjirit, Kristian Coates Ulrichsen thotë se katër vendet kanë vendosur bllokadën ndaj Katarit për t’i imponuar kërkesat e tyre, por se nuk ia dolën pasi që Katari tregoi rezistencë të paparë.

Ai në një tekst të publikuar në Forumin Ndërkombëtar për Gjirin theksoi se kriza nuk ka shkaktuar izolim ndërkombëtar dhe dobësim të Katarit, por se janë shkaktuar rreziqe politiko-shoqërore për të gjithë rajonin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button