Ligji i gjuhëve, Zaev për Ivanovin: do të ketë përgjegjësi për shkelje kushtetuese

Po bëhen tre muaj që kur ligji për përdorimin e gjuhëve u votua në Kuvendin e Maqedonisë, ndërkaq ende nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare. Në lidhje me këtë, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, duke bërë sërish apel deri te presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që ta vendos nënshkrimin dhe i njëjti të publikohet në Gazetën Zyrtare, deklaroi se do të ketë përgjegjësi për shkelje kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

“Unë, në disa takime me presidentin Ivanov jam përpjekur që ta motivoj dhe ta nxis, që të vendoset ai nënshkrim, për shkak se shkelet Kushtetuta. Nëpërmjet këtij ligji, Kuvendi është bllokuar në realizimin e funksionit të tij, kjo dërgon porosi, se presidenti mund të vendos se kur të dojë, se cilit ligj t’i vendos veto, por kjo nuk është demokraci funksionale, dhe përgjegjësia është e madhe. Do të apeloja sërish që kryetari të vendos nënshkrim, dhe më pas të drejtohemi te Gjykata Kushtetuese, Komisioni i Venedikut për kushtetutshmërinë e ligjit. Ato janë kompetente, që mund të thonë diçka”, tha Zaev në një ngjarje që u mbajt sot në Shkup.

Javën e kaluar, Qeveria e Maqedonisë publikoi raportin e punës 1-vjeçare, dhe si një nga ndryshimet në të cilat kryeministri Zaev foli më shumë dhe më gjatë, ishte, siç e cilësoi ai, miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, edhe pse i njëjti në praktikë ende nuk është funksional, ndërkohë që institucionet shtetërore vazhdojnë të mos flasin në gjuhën shqipe. Rasti është edhe me vetë Qeverinë e Maqedonisë, e cila si raportin, por edhe uebfaqen, nuk e ka në gjuhën shqipe.

Përndryshe, ligji për përdorimin e gjuhëve, me 64 vota “për”, në atmosferë të tensionuar për së dyti herë u miratua në Kuvendin e Maqedonisë.  Megjithatë, kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov edhe pas më shumë se dy muaj, të njëjtin ende nuk e ka dekretuar, edhe pse nuk ka të drejtë kushtetuese. Debati për ligjin filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Ndryshe, sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, institucionet obligohen që ueb-faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20% të qytetarëve të vendit (shqipe). Sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button