Komisioni kontrollues: “Shkupi 2014” me ndërtime të egra, Aleksandri i Madh dhe Porta Maqedonia të hiqen ose legalizohen

Përmendorja “Ushtari në kalë” apo që të gjithë e njohim si e Aleksandrit të Madh si dhe “Porta Maqedonia” në Shkup janë ndërtime të egra prandaj dhe duhet ose të hiqen ose të legalizohen. Kështu thotë kryetari i Lidhjes së arkitektëve, Martin Panovski i cili ishte dhe pjesë e komisionit për analiza të projektit kontrovers Shkupi 2014, në intervistën javore të Radio Evropa e Lirë, njofton Portalb.mk.

Sipas tij, grupi punues për Shkupi 2014, ka për detyrë të verifikojë keqpërdorimet eventuale gjatë marrjes se lejeve për ndërtim, domethënë procedurat rreth ndërtimit.

“Kemi vërtetuar gati se në të gjitha raportet për të gjitha skulpturat e vendosura, procedurat që nga fillimi kanë qenë kundërligjore dhe kështu në fakt të gjitha ndërtimet që janë nga projekti Shkupi 2014, këto që i kemi hulumtuar deri më tani janë ndërtime të egra. Vendosja e përmendoreve, asnjëra nuk ka shkuar përmes Parlamentit të Maqedonisë e cila është përgjegjëse për të vendosur përmendore, të gjitha janë vendosur nga Komuna ose nga Qyteti i Shkupit, andaj nuk vlejnë” thotë Panovski.

Deri më tani janë përgatitur raportet për “Ushtarin në kalë”, “Porta Maqedonia” dhe për skulpturën te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ku është dhe familja e Aleksandrit të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

“Por e kanë koklavitur aq shumë procesin, nuk mund ti marrim projektet për to sepse nuk dihet ku janë. I kanë udhëhequr në atë mënyrë që vendimi i komunës të jetë në një emër, projekti në emër tjetër ndërsa leja në emër të tretë” shprehet ai.

Sipas Panovskit, dihet mirë se si veprohet me objektet pa leje. Ka dhe ligj: ose hiqen ose legalizohen, ndërsa komuna duhet të kërkojë përgjegjësi për atë se kush ka dhënë lejë për ndërtimin e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button