Maqedoni: më pak lindje, më shumë migrim

Dikur nënat lindnin më shumë fëmijë, edhe përkundër kushteve të vështira ekonomike e sociale. Por sot është ndryshe. Ekspertët detektojnë disa shkaqe që ndikojnë në rënien e lindshmërisë.

Mosinteresimi i prindërve për të patur fëmijë të dytë ose të tretë si dhe shpërngulja e madhe e qytetarëve jashtë shtetit, kanë ndikuar dukshëm në rënien e natalitetit të popullatës në Maqedoni, ndërkohë që masat stumuluese që i inicioi qeveria e kaluar, sipas mjekëve dhe demografëve, nuk arritën efektin e dëshiruar, shkruan gazeta KOHA.

Varësisht në cilat mjedise sociale jetojnë qytetarët, si dhe niveli arsimor i tyre, mund të flitet edhe për shkaqet e rënies së natalitetit. Profesorët universitarë mendojnë se ulja e natalitetit vjen nga mosarsimimi i femrës shqiptare, mosinkuadrimi i saj në punë, por edhe nga pagat e ulta në vendin e punës.

KONCENTRIMI NË SHKUP, UL LINDSHMËRINË NË KOMUNAT TJERA

Në repartin Obstetrikë-Gjinekologjik në Gostivar në dekadën e fundit ka një ulje drastike të lindshmërive. Sipas kryeshefit të repartit, dr. Agim Jakupi shkaqet janë politike, por edhe ekonomike. Ai sqaron për gazetën KOHA se në këtë repart viteve të fundit është evident zvogëlimi i lindjeve. Këtë ai e ilustron më të dhëna konkrete, duke krahasuar vitet dhe periudhat kohore. Kështu që, sipas tij, para 17 viteve kur edhe është punësuar në Spitalin e Gostivarit, ka patur 1300 lindje në vit, ndërkohë që viteve të fundit shifra e lindshmërisë zbret në 680 foshnje. Por statistikat e vitit të fundit shënon një rritje prej 5 lindjeve, më shumë se vjet.

Dr.Jakupi përmend migrimin e popullatës, sidomos i moshave të reja, si një nga arsyet e rënies së natalitetit. Si shkaqe të tjera ai evidenton edhe situatën e disfavorshme ekonomike e sociale në vend që nënkupton faktin se prindërit e punësuar me rroga të ulëta, nuk kanë mundësi që të lindin më shumë se dy fëmijë. Nuk është si dekada më parë kur nënat shqiptare edhe përkundër kushteve të vështira ekonomike lindnin edhe nga 5, 6 fëmijë, thotë ai.

Pakoja e programeve stimuluese nga ana e qeverisë pararendëse, në thelb ishte diskriminues, për arsye se favorizonte vetëm një pjesë të popullatës. Dr.Jakupi ka vërejtje në këtë aspekt sepse këto stimulime i dedikoheshin vetëm komunave në Maqedoninë Lindore, kurse pjesët tjera, të banuar kryesisht me shqiptarë, i nënshtroheshin kritereve absurd që në të shumtën e rasteve bëhej përmes pengimeve në dokumentat si të pakompletuara.

Një shkak tjetër i zvogëlimit të numrit të lindjeve, sipas kryeshefit të repartit të Obstetrikës- gjinekologjisë në Gostivar, dr.Agim Jakupi, qëndron në atë se Ministria e Shëndetësisë ka dhënë mundësinë që gratë shtatzëna të zgjedhin vendin e lindjes ku të duan, pa rekomandim të mjekut sekundar.

Për dallim nga Spitali i Gostivarit, një ndryshim pozitiv vërehet në spitalin Gjinekologji dhe Obstetrikës “Nënë Tereza” në Shkup. Siç njoftojnë për gazetën “Koha” në dy vitet e fundit, në këtë spital, shënohet rritje prej 1100 lindjeve, ndonëse kjo shifër nuk e ndryshon numrin e lindshmërive në nivel republikan.
“Në spitalin tonë këto dy vitet e fundit kemi rritje të numrit të lindjeve nga 2800 lindje në 3900 lindje , që sipas dinamikës së tashme dhe me numrat me të cilat udhëhiqemi tash, jemi të bindur që këtë vit 2018 do ta përmbyllim me rreth 4200 lindje, dhe kjo do të thotë se jemi në epërsi nga spitalet e tjera të vendit, edhe pse paciente kemi nga gjithë qytet e Maqedonisë”, tha doktor Ilir Shurdhani, nga spitali i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës “Nënë Tereza” në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button