Refuzimi i butë i bisedimeve për veriun

Autoritetet e Prishtinës kanë hezituar ta kundërshtojnë hapur kërkesën e Bashkimit Evropian për hapjen e dialogut me Serbinë për çështjen e veriut. Presidenca dhe Qeveria nuk u thanë as “po” e as “jo” bisedimeve, por ripërsëritën qëndrimin e tyre se zgjidhja e këtij problemi gjendet në Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e Martti Ahtisaarit.

Një ditë pasi zyrtarët e BE-së kërkuan hapur dialog politik mes Kosovës dhe Serbisë, zyrtarët në Prishtinë kanë vazhduar të përsëritin deklaratat se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, shkruan “Express”.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se zgjidhja për problemin e veriut do të gjendet në Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit.

Afati i Planit të Martti Ahtisaarit përfundon në vjeshtë me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, ndërsa në atë kohë pritet të hapet dialogu Prishtinë-Beograd për veriun e Kosovës.

Meqë veriu nuk është zgjidhur sipas Pakos dhe Kushtetutës deri më tash, burime ndërkombëtare i kanë thënë “Express-it”, se për atë pjesë do të ketë aranzhime të reja, të cilat i kanë kërkuar edhe të mërkurën zyrtarët më të lartë të BE-së.

Por, Hajredin Kuçi ka mohuar një gjë të tillë. “Natyrisht, jemi të interesuar edhe për një fqinjësi të mirë me gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, por fqinjësi që respekton sovranitetin e njëri-tjetrit, pavarësinë e njëri-tjetrit dhe që respekton do të thosha identitetet nacionale dhe shtetërore që kemi krijuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, sa i përket veriut, edhe Presidentja gjatë qëndrimit në Bruksel e ka shpreh qëndrimin e qartë, që çdo zgjidhje do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit.

Por, as Kuçi e as Jahjaga nuk janë shprehur kundër dialogut më Beogradin, që është kërkuar të mërkurën nga Presidenti i BE-së, Herman van Rompoy dhe shefi i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso.

Të dy zyrtarët e BE-së kërkuan dialog politik me mes dy vendeve për të zgjidhur problemin e veriut dhe në të njëjtën kohë kërkuan të respektohen edhe marrëveshjet e arritura më herët mes dy vendeve.

Të njëjtën deklaratë e ka përsëritur edhe të enjten zyrtari tjetër në Bruksel, Sekretari i NATO-s, Andreas Fogh Rasmussen, gjatë një takimi që ka pasur me Presidenten Atifete Jahjaga.

Ai ka kërkuar zgjidhje politike për problemin e veriut të Kosovës dhe ka garantuar se nuk do të ketë ndarje të Republikës.

Sipas një komunikate për media, Presidentja Jahjaga nuk e ka kundërshtuar kërkesën e zyrtarëve të Brukselit për dialog politik me Beogradin, por ka thënë se pjesa veriore do të vazhdojë të integrohet në pjesën tjetër të Kosovës.

Por, kundër bisedimeve me Serbinë, si gjithmonë, ka dalë Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai ka thënë se në krejt këtë lojë fiton Beogradi e humb Prishtina.

“Këto bisedime janë të padrejta, joparimore dhe të dëmshme, sepse janë bisedime për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa kurrfarë kushtesh për Serbinë. Bisedimet e Kosovës me Serbinë nuk po e ndryshojnë Serbinë, por po e ndryshojnë Kosovën dhe atë për të keq”, ka thënë Kurti për REL.

Madje, Presidenti i BE-së, Herman van Rompuy, ka deklaruar të mërkurën para Presidentes Jahjaga se dialogu për veriun duhet të ndodhë.

“Palët (Prishtina dhe Beogradi) duhet ta trajtojnë situatën në veri të Kosovës për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, ka thënë Rompuy.

Kësaj kërkesë presidentja i është përgjigjur pozitivisht, ndonëse ka thënë se asnjë pjesë e Kosovës nuk mund të ketë status të veçantë, por duhet të integrohet në pjesën tjetër të Republikës. 

Lajme të ngjashme

Back to top button