Hijet në errësirë

“Kombet të cilat e përligjin përparësinë e një grupi etnik ose religjioz mbi të gjithë të tjerët bëhen jofunksionale në aspektin psikologjik. Shteti bëhet jashtëzakonisht paranoik, shoqëria e tij bëhet e mbyllur, e izoluar dhe e kufizuar në aspektin intelektual.  

Si i tillë, shteti bën përpjekje të çmendura jashtë të gjitha proporcioneve me dëshirë që të vetë-bindet në fuqinë dhe forcën e vet… Kurse shoqëria më nuk është e aftë të njohë çfarëdo qoftë kufijsh gjeografikë ose moralë”. 

Mishell Varshavski (“Towards an Open Tomb: the crisis of Israeli society”, 2004)

Në agimet e një dite të bukur, kur të kthehemi të mendojmë për mësimet e nxjerra prej viteve të jetuara në lëkurën e ngushtë djathtiste, do të kuptojmë që cikli i ndryshimeve filloi prej gostisë së përgjakshme në Liqenin e Smillkovcit. Do të kuptojmë që krismat e asaj  nate dhe ngjarjet të cilat pasuan e shpuan ballonin fryrë të kësaj qeverie vëllazërore-të bashkuar me interes njëkahësh, i cili dalëngadalë po shfryhet me secilën ditë të kaluar dhe secilin manipulim të publikuar propagandues. Por edhe më e rëndësishme – e demaskuan fytyrën e një shoqërie të vlerave thellësisht të çrregulluara, pa guxim dhe pa fytyrë vetjake, edhe përpos tonelatave të makijazhit të lirë të Dorian Grejit medial. 

Sipas natyrës së tij të ashpër, të tejkaluar vetëm nëpërmjet raportit ndaj vetë aktit të krimit, rasti në Smillkovc është ekuivalenti ynë vendas i vrasjes së familjes Kllater në Hollkomb, Kanzas, në vitin e largët 1959. Krimi i “natës në të cilën u ndeshën dy Amerikat” shërbeu si lajt-motiv për kryeveprën e Truman Kapotes “Vrasja gjakftohtë”, me të cilën për herë të parë publikut iu prezantua shëmbëlltyra shokuese e shoqërisë amerikane, si alter-ego e ëndrrës së artë amerikane. Dhe derisa gjyqësia amerikane në mënyrë efikase e rrumbullakësoi pragmën juridike të krimit të kryer dhe dënimit të merituar, Kapote me librin e tij ia mundësoi shoqërisë të përballet me anën e vet të errët dhe në këtë mënyrë të piqet në një organizëm të shëndoshë të raporteve të balancuara njerëzore. 

Por, kjo është Maqedonia e heshtjes në të cilën Kapote nuk ka lindur ende. 

E vetmja gjë që sot ende na përkujton për krimin janë lajmet e njëpasnjëshme për aktgjykimet e shqiptuara ndaj personave të arrestuar për vepra të ndryshme penale, por në aksionin e njëjtë policor. Prej rreth 20 personave të arrestuar në fillim, vetëm tre janë akuzuar për vrasje dhe vetëm njëri është dënuar për posedim të armës, e cila nuk është e lidhur me vrasjen. Tre muaj pas aksionit, të akuzuarit për vrasjen janë ende në paraburgim, edhe pse ministrja Jankullovska dhe kryeministri Gruevski deklaronin që MPB-ja ka dëshmi të fuqishme për fajin e tyre. Nëse kjo është e saktë, mbetet pyetja se pse kërkohet vazhdim i paraburgimit në rrethana të dëshmive aq të paluhatshme?

Sjellja e tillë e sjell opinionin publik deri në dyshime që, në mungesë të dëshmive, administrata është sjellë në gjendje që ta kënaqë kureshtjen e opinionit nëpërmjet qasjes “dënoje për diçka, për çfarëdo qoftë”. Me qasje të tillë të administratës vetëm shtohet edhe një grusht kripë në plagët e familjeve të të vrarëve dhe zgjerohet rrethi i pezmit, mllefit dhe pikëllimit te ata që konsiderojnë që me qëndrim prapa grilave duhet patjetër ta paguajnë llogarinë për betejën bashkëkohore të gladiatorëve në skenën politike. Fajtorë sipas ligjit, por të pafajshëm sipas akuzës, të dënuarit për fshehje të armëve janë vetëm hanzapllast politik mbi plagët e qelbura të një situate veç më thellësisht kontroverse. 

“Gjithçka që është e fshehtë degjeneron pashmangshëm, duke e përfshirë edhe administrimin e drejtësisë”, përkujton Lordi Akton, për shkak se “asgjë që nuk mund ta durojë diskutimin dhe opinionin publik nuk mund të konsiderohet e sigurt”. Në këto fjalë fshihet edhe problemi kyç me “administrimin tonë të drejtësisë”, i cili gjithnjë më tepër po i përngjan politikës së hijeve në errësirë, larg syve të opinionit publik si dëshmitar. Një politikë e bazuar në mentalitetin e makiavelizmit etnik – në dëm të absolutizmit etik – me efekt të fuqishëm afatshkurtër të atraktivitetit, por me pasoja të pashmangshme dhe megjithatë të parashikueshme, të cilat kurdoherë kthehen si bumerang. Para se ta hidhni poshtë këtë mendim si moralizim joreal, merrni frymë thellë dhe silleni ndër mend Ljube Boshkovskin ose “atë-si-e-kishte-emrin” të Dinjitetit. Duke e përfshirë edhe versionin alternativ të ushtarëve të rinj të UÇK-së nga rajoni i Shkupit dhe Kumanovës, të cilët më në fund kuptuan që, për t’i ndjerë të mirat e amnistisë, duhet të jesh prijës partiak ose “fytyrë publike dhe politike”. 

Borxhi shpirtëror dhe moral ndaj të vrarëve dhe të afërmve të tyre, si dhe obligimi shoqëror ndaj të akuzuarve na obligojnë që diskutimin ta mbajmë në jetë me çdo kusht dhe pa e marrë parasysh bezdinë e pyetjeve ende të papërgjigjura. Kërkesat për dorëheqje të ministres së punëve të brendshme janë veç më të tepërta në prizmin e injorimit të opinionit publik nga ana e saj. Së këndejmi, pyetjet duhet të parashtrohen aty ku ndalet denari, në tryezën e kryeministrit dhe partnerit të tij të koalicionit, me kërkesë precize që të thuhet se çka ka ndodhur në Smillkovc dhe çka qëndron prapa deklaratave të dhëna në ditët pas vrasjes. 

Por, nëse megjithatë e kemi të qartë mosshprehjen dhe bezdinë e pushtetit që të deklarohet për këtë çështje, duket e pasur parasysh interesin e tyre politik dhe mandatar, nuk ka kurrfarë arsyetimi për heshtjen dhe hutine e opozitës. Ka kaluar grejs-periudha e premtuar prej opozitës dhe opinionit publik për zhvillimin e hetimeve, kështu që kërkimi i përgjigjeve është jo vetëm e drejtë legjitime, por edhe obligim i korrektivit parlamentar të pushtetit. 
Duke iu kthyer citateve hyrëse të Varshavskit, vlen të theksohet që nëpërmjet raportit tonë të përgjithshëm ndaj këtij rasti përcaktohet edhe aftësia jonë për kthim dhe kultivim të vlerave dhe kufijve themelorë shoqërorë moralë. Si parakusht për qëllimin e dëshiruar përfundimtar – krijim të shtetit në të cilin përparësi ka personi dhe qytetari, me besim te ata që e kanë marrë mbi vete obligimin që ta respektojnë dhe të kujdesen për mbrojtjen e të drejtave të tij. Paaftësia ose mosgatishmëria jonë eventuale për një luftë të tillë do të paraqesë vetëm një mëkat plotësues ndaj të vdekurve dhe krim ndaj vetvetes sonë. 
Në fund, deri në takimin e ardhshëm, ju përshëndes me dëshirë për të korra të begatshme, feragosto të këndshëm dhe agjërim të lehtë. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button