Xhaferi: Në këto 20 vite mbi 123 mijë qytetarë i janë drejtuar Avokatit të Popullit

Me rastin e jubileut 20 vjet nga ekzistimi i Avokatit të Popullit, në Kuvendin e Maqedonisë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve dhe ish-përfaqësuesve të zyrave të Avokatit të Popullit të vendeve të rajonit, por edhe më gjerë, ka filluar panel diskutimi me temë “Institucioni Avokat i Popullit në Republikën e Maqedonisë: fillimet, zhvillmi dhe sfidat”, raporton Anadolu Agency (AA).

Panel diskutimi u hap nga kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ndërsa me fjalë përshëndetëse u adresua edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, si dhe Erlinda Balanca, kryetarja e Asociacionit të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) dhe Avokate e Popullit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Xhaferi përmendi se në këto 20 vite në Avokatin e Popullit të Maqedonisë janë drejtuar mbi 123 mijë qytetarë, gjë që sipas tij, flet se ky institucion është bërë i njohur për qytetarët e vendit dhe ka fituar një besim në opinionin më të gjerë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve.

Duke folur mbi raportet e Avokatit të Popullit që shqyrtohen dhe miratohen nga Kuvendi, Xhaferi tha se: “Kur veç më përmenda raportet vjetore të Avokatit të Popullit, mendoj se do të ishte mirë nëse ato raporte, pas miratimit në Kuvend të bëhen një farë lloj doracaku në punën e çdo institucioni shtetëror, pa dallim nëse bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv apo gjyqësor. Këto raporte, sipas meje do të duhet të jenë edhe pjesë e literaturës profesionale në fakultetet e shkencave juridike dhe politike”.

Ndërkaq, kryeministri Zaev theksoi se Avokati i Popullit është një nga hallkat më kryesore midis qytetarëve dhe sistemit të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Forcimi institucional i Avokatit të Popullit ishte ndër prioritetet në reformat e sistemit të drejtësisë dhe shërbimeve të sigurimit të inteligjencës që i zbatuam me Planin 3-6-9 dhe do të mbetet në listën prioritare të përpjekjeve të ardhshme të qeverisë”, u shpreh Zaev.

Ai përmendi disa ndryshime të qeverisë së tij gjatë mandatit të saj 1-vjeçar mbi të drejtat e Avokatit të Popullit, duke theksuar se qeveria ka arritur të përforcojë kuadrin e cilësisë së Avokatit të Popullit me punësimin e 10 personave të rinj në zyrën e tij, i është mundësuar Avokatit të Popullit të jetë anëtar në Këshillin për ndjekjen e rëndësisë së reformave në drejtësi si dhe i është dhënë autoritet në përcaktimin e modelit dhe kornizës ligjore për mekanizëm të jashtëm të pavarur për monitorimin e punës së policisë.

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili që nga viti 2004 është në krye të këtij institucioni tha se të jesh Avokat i Popullit në një shoqëri me diversitet, siç është e Maqedonisë, është më shumë se sfidë.

“Bashkëpunimi, komunikimi i mirë dhe besimi janë baza të progresit dhe suksesit, vlera të cilat kohë pas kohe u lëkundën, tanimë ato ngadalë, por sigurt kthehen”, u shpreh ai, duke falënderur për krerët shtetëror aktual të vendit.

Këto dy ditë në Shkup, poashtu në kuadër të jubileut të dhjetë të Asociacionit të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) do të mbahet konferenca e titulluar “Avokati i Popullit mbrojtës i të drejtave sociale, kulturore dhe ekologjike, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të avokatëve të vendeve anëtare të AOM-it.

Ditën e parë konferenca do t’i kushtohet rolit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave sociale të kategorive vulnerabile të qytetarëve ndërsa në ditën e dytë do të diskutohet roli i Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të mjedisit jetësor, ndërkohë është paralajmëruar edhe miratimi i Deklaratës së Asociacionit.

AOM është formuar më 19 dhjetor të vitit 2009 në Marsejë ndërsa anëtarë të saj janë gjithsej 37 vende ndër të cilat edhe shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor (Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Bosnjë e Hercegovina).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button