Haradinaj kërkon nga organet e sigurisë të luftojnë narkotikët në shkolla dhe të rrisin sigurinë në vend

Gjendja aktuale e sigurisë, përgatitja dhe shtimi i masave të përgjithshme të sigurisë për sezonin veror dhe pritjen e fluksit të mërgimtarëve, ishin disa nga temat e që u diskutuan në takimin punues që kryeministri Ramush Haradinaj e zhvilloi me përfaqësuesit kryesorë nga institucionet e sigurisë dhe rendit në vend, njofton Koha.net.

Në këtë takim, kryeministri tha se roli i institucioneve të sigurisë, Policisë së Kosovës dhe mekanizmave të tjerë relevantë në luftën kundër dukurive negative, është shumë i rëndësishëm dhe pikërisht për këtë, duhet një mobilizim i të gjithëve që të mos ketë trend rritjeje të akteve delikuente dhe kriminale.

“Jemi shumë të përkushtuar që ta rrisim luftën kundër dukurive negative, me theks të veçantë luftën kundër narkotikëve në shkolla dhe afër tyre, dhe për këtë është e nevojshme shtimi i masave nga organet e rendit dhe të sigurisë”, tha Haradinaj.

Poashtu, kreu i ekzekutivit tha se edhe numri i vetëvrasjeve në Kosovë dhe i aksidenteve në trafik është tepër shqetësues, duke vlerësuar se duhet parë nga afër cilat janë shkaktarët e këtyre dukurive negative si dhe mundësinë e uljes së numrit të aksidenteve në trafik.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, vlerësoi se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, është stabile dhe shtoi se institucionet e rendit dhe të sigurisë që janë në kompetencë të MPB-së, janë duke punuar në përmirësimin e këtyre parametrave.

Edhe u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se është rritur dukshëm përgjegjësia dhe angazhimi i Policisë Kosovës në krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët.

Në këtë takim pune, të thirrur nga Kryeministri Haradinaj u dakordua që të gjitha institucionet sigurisë të ngritin nivelin e përgjegjësisë me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët e Kosovës, e që do të reflektonte edhe në krijimin e sigurisë më të madhe për investitorët e huaj potencialë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button