KRB: Deri në fund të shekullit temperatura mund të rritet me 5-6 gradë

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Sadulla Duraku, hapi sot takimin e 7-të të grupit punues mbi ambientin, i cili funksionon në kuadër të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (KRB), në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga gjashtë shtete të Evropës Juglindore, nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Duraku tha se takimet, siç është ky, kontribuojnë në masë të madhe për këmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor duke lehtësuar zbatimin e qëllimeve dhe prioriteteve që janë pjesë e Strategjisë 2020 e Evropës Juglindore.

Duraku tha se përfaqësimi i politikave dhe lidhjeve operative mes mjedisit jetësor dhe sektorëve tjerë, siç janë ndryshimet klimatike është i rëndësishëm, duke shprehur kënaqësi nga takimi i fundit ministror në Bon ku u prezantuan rezultatet e studimit përfundimtar për ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor ku u analizuan lidhjet mes ndryshimeve klimatike dhe sektorëve tjerë.

“Për ne është e rëndësishme që tashmë janë krijuar fonde të cilat vijnë përmes agjencive austriake, më të cilat do të financohet projektet “Klimë Prof” dhe “Neksus”, për të cilat në këtë takim do të flitet për zhvillimet më të fundit rreth tyre dhe hapave të ardhshëm”, tha Duraku.

Zëvendës sekretari Gjeneral i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Gazmend Turdiu tha se grupi punues mbi ambientin, ekziston tashmë për tre vite, gjatë të cilave ka aritur rezultate të konsiderueshme.

Duke u ndalur tek rëndësia që ka Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, Turdiu theksoi një studim të kryer për ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor, rezultatet e të cilit do të publikohen javën e ardhshme. Studimi në fjalë, tha ai, flet se nëse nuk ndërmerren masat e nevojshme, rritja mesatare e temperaturës do të jetë me 3 gradë në mes të shekullit dhe me 5-6 gradë gjatë verës, deri në fund të shekullit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button