Fëmijët, viktima të dhunës në familje, shkollë e rrugë

Shumë fëmijë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës, qoftë në familje, shkolla apo në rrugë. Si pasojë e dhunës në familje, këtë vit është raportuar vdekja e një djaloshi 14 vjeçar.

Në përgjithësi, sipas statistikave të organeve të rendit, si pasojë e dhunës, në vitin 2016 janë evidentuar katër raste, kurse në vitin 2017 pesë raste të vrasjeve të rënda në familje.

Ndërkohë që janë raportuar gjithsej 1269 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2017 dhe 281 raste për periudhën janar –mars të këtij viti. Nga këto të dhëna, një numër i konsiderueshëm i viktimave të dhunës janë fëmijët.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës bëri të ditur se bazuar në autorizimet dhe kompetencat që ka Policia e Kosovës në kuadër të fushëveprimit të saj, një rëndësi të veçantë i kushtohet edhe trajtimit të dhunës në familje, si në aspektin parandalues, po ashtu edhe trajtimit aktiv të rasteve që raportohen.

“Zyrtarët kompetent policor përveç aspektit parandalues, iu përgjigjen të gjitha rasteve të dhunës familjare të raportuara, duke iu dhënë prioritet këtyre rasteve dhe veprimet kryesore që ndërmerren, përveç ofrimit të ndihmës ndaj viktimave, përfshijnë edhe bashkëpunimin me subjektet tjera siç janë: Njësia për Mbrojtje dhe Përkrahje të Viktimave, Qendrat për Punë Sociale, Qendrat Mjekësore, Shoqata të ndryshme jo qeveritare që ofrojnë strehim etj”, tha Hoxha.

Në anën tjetër, Arbnora Kllokoqi, zyrtare në Koalicionin e Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke kërkuar që të bëhet aprovimi sa më parë i projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe parashikimit dhe ndarjes së buxhetit të nevojshëm për këtë projektligj, në mënyrë që të gjejë zbatim efikas dhe të ndikojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në Republikën e Kosovës.

“Fëmijët në Kosovë po ballafaqohen me situata mjaft të vështira, ku po kanoset edhe siguria e tyre. Për pasojë kemi edhe rastet me fatalitet. Rasti i fundit që ka ndodhur në Kosovë është dhuna deri në vdekje, që kanë tronditur gjithë opinionin. Këto raste duhet nënkuptojnë alarm për Qeverinë dhe institucionet, familjet dhe gjithë shoqërinë. Për më tepër rreth 61.4 për qind e fëmijëve në Kosovë deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kanë pësuar nga dhuna psikologjike apo fizike”.

“Duke u nisur nga ky fakt Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF përmes një letre të hapur ka kërkuar edhe nga kryeministri që të rris vëmendjen ndaj këtyre ngjarjeve dhe sigurisë së fëmijëve dhe në të njëjtën kohë të adresojë me prioritet absolut sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, në kuadër të qeverisjes së tij”, theksoi Kllokoqi.

Sidoqoftë dhuna ndaj fëmijëve përpos në familje, është e shprehur edhe në shkollat e Kosovës, e që përbën një shqetësim të madh.

Në Policinë e Kosovës thonë se gjatë vitit 2017, janë raportuar 216 raste, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2018, janë raportuar 207 raste.

“Bëhet fjalë për të gjitha llojet e rasteve që kanë ndodhur në shkolla, apo përreth tyre. Në periudhën janar-prill 2017, janë evidentuar 58 raste të lëndimeve të lehta dhe 13 raste të lëndimeve të rënda trupore, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2018, kemi 43 raste të lëndimeve të lehta dhe 15 raste të lëndimeve të rënda trupore”, tha Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Të dhënat e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve flasin për shkallë të lartë të dhunës së përdorur në familje, ku 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar të kenë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike. 10.7 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë përderisa 6.8 për qind e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme.

Raportet qeveritare dhe joqeveritare tregojnë edhe për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët. Vetëm gjatë vitit 2016, janë shqiptuar 1159 masa dhe dënime alternative ndaj të miturve në konflikt me ligjin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button