Trump konfirmon vizitën e zyrtarit të Koresë së Veriut në SHBA

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, konfirmon se një zyrtar i nivelit të lartë i Koresë së Veriut, para samitit të liderëve i cili planifikohet të mbahet në Singapor, do të vizitojë SHBA-të për të realizuar takime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social Twitter ka shkruar se “Ne kemi vendosur një ekip të mrekullueshëm për takimet tona me Korenë e Veriut. Aktualisht po realizohen takimet në lidhje me samitin dhe për më shumë”.

Trump theksoi se zv/kryetari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës në Korenë e Veriut, Kim Yong-çol, është nisur për në New York dhe u shpreh se ka marrë “një përgjigje solide” ndaj letrës së tij.

Më parë thuhej se Kim Yong-çol, i cili njihet si një person dominues për çështjet e sigurisë dhe çarmatimit bërthamor do të vizitojë SHBA-të për të zhvilluar takime para samitit të liderëve që planifikohet të mbahet në Singapor.

Ai më parë nga qeveria e Koresë së Jugut llogaritej si përgjegjës për disa akte provokative të iniciuara nga ushtria e Koresë së Veriut. Pretendohej se Kim ka planifikuar sulmin me torpedo në vitin 2010, i cili shkaktoi vdekjen e 46 detarëve të Koresë së Jugut.

Trump më 24 maj i kishte shkruar liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, një letër dhe kishte njoftuar se nuk do të marrë pjesë në samitin e planifikuar të mbahet më 12 qershor mes të dy liderëve në Singapor për shkak të “zemërimit dhe armiqësisë së hapur” në deklaratat e fundit të liderit verikorean.

Më pas zv/ministri i Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut, Kim Kye-gwan, tha se përkundër anulimit të samitit, ata janë ende të hapur për bisedime.

Trump të njëjtën ditë tha se ende është i hapur për një samit ku do të takohet me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un. Presidenti amerikan ka theksuar se ky takim mund të mbahet më 12 qershor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button