Sheshi “Ibrahim Rugova” gati për vendosjen e pllakave

Punimet në Sheshin e Pavarësisë “Ibrahim Rugova” janë në vlugun e tyre, ndërkaq brenda këtij muaji do të filloj vendosja e pllakave, vendosjen e të cilave do ta mbikëqyr prodhuesi gjerman i tyre, njofton Komuna e Prishtinës.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se pllakat përbehen prej dy shtresave, shtresa e parë nga betoni special dhe e dyta nga guri natyror i granitit.

Këto të dhëna, të mërkurën në një konferencë me gazetar i paraqiten drejtori i infrastrukturës, Ridvan Shahini dhe shefi i Zyrës se Prokurimit, Ekrem Rexha, të cilët theksuan se ndonëse janë paraqitur disa pengesa, punimet në sheshin “Ibrahim Rugova” po shkojnë sipas dinamikës se paraparë.

Shahini tha se janë përfunduar punimet edhe në instalimet e ujit, që do të shërbejë për ujitjen e hapësirave gjelbëruese në shesh. “Tash është duke u punuar në vendosjen e kabllove të ndriçimit publik të sheshit. Tamponimi është në nivel, është duke iu dhënë shtresa përfundimtare e të ashtuquajturit 0.3. Këto punime presim të përfundojnë brenda javës në mënyrë që tu hapet rruga punimeve në pllakosjen- vendosjen e pllakave në shesh, që presim që të filloj nga data 1 gusht”, tha Shahini.

Ai tha se gjatë punimeve në këtë shesh janë hasur edhe pengesa të natyrave të ndryshme, siç është qeshma e gjetur gjatë gërmimeve afër teatrit, rrethojat në oborrin e qeverisë dhe kuvendit.

Shahini tha po ashtu se tashme është bërë edhe betonimi i tre fontanave që do të ndërtohen në shesh, njëra në qendër të sheshit, e dyta aty ku do të vendoset shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova dhe e fundit do të vendoset afër shtatores se Skënderbeut.

Ai njoftoi se në këtë shesh do të bëhet edhe ndërtimi i shkalleve lëvizëse për personat me aftësi të kufizuar tek pjesa afër Teatrit Kombëtarë, pjesa që lidh sheshin me rrugën Agim Ramadani, ndërkohë që tha se edhe shkallet e tanishme të Teatrit do të punohen në mënyrë që të inkorporohen në shesh.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së Prokurimit, Ekrem Rexha tha se procesi i prokurimit për ndërtimin e sheshit “Ibrahim Rugova”, është zhvilluar në dy faza. Faza e parë sipas Rexhes është zhvilluar me herët që ka rezultuar me punimet e deritanishme, ndërkohë që faza e dytë ka të bëjë me furnizimin me pllaka.

“Kemi pasur një proces animimi në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që njihet si gjykata e tenderëve. OSHP ka vendosur në favor të Komunës, d.m.th, zgjidhjet që i ka vendosur komuna i kanë vlerësuar si zgjidhje të drejtë. Në këtë proces kanë fituar një grup i operatorëve ekonomik-Allzone, Gerguri dhe Zysken Trans. Vlera e kontratës është 2.7 milionë euro, ndërsa pritet që furnizimi me pllaka të bëhet brenda 80 ditëve”, tha Rexha.

Rexha tha se specifik e këtij tenderi është që prodhuesi i pllakave nga gjermania, tërë kohën do të monitoroj dhe mbikëqyre vendosjen e pllakave në shesh, në mënyrë që mos të këtë ndonjë devijim, që me vonë do të sillte dëmtimin e pllakave. Rexha tha se përveç furnizuesit një garanci të veçantë për cilësinë e pllakave e ka dhënë edhe kontraktuesi, garanci kjo që shkon deri në 10 vite.

Përfaqësuesi i kompanisë, ‘Smart Projekt’, projektuese e sheshit, Sebaudin Veseli, tha se pllakat që janë paraparë janë të një teknologjie të re.

Ndryshe, punimet në sheshin Ibrahim Rugova kanë filluar në mesin e muajit mars të këtij viti. Sipas projektit, 25 deri në 30 për qind e sheshit do të jetë zonë e gjelbëruar

Lajme të ngjashme

Back to top button