Rompuy: Progresi në veri vetëm përmes dialogut

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompuy ka thënë të mërkurën se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës.
Rompuy këto komente i bëri në konferencën e përbashkët për media, me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë në Bruksel, duke potencuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.

“Palët duhet gjithashtu t’u adresohen çështjeve në veri të Kosovës, për të mirën e qytetarëve që jetojnë atje. Unë mbetem i bindur se gjithsesi vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë mënyra më e mirë për të arritur këtë progres dhe për të siguruar një stabilitet të mëtutjeshëm dhe zhvillim të mëtutjeshëm në rajon”, tha Rompuy.

Ai tha se në dialogun e zhvilluar deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, janë arritur rezultate të prekshme, mirëpo sfidë vazhdon të mbetet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Presidenti i BE-së, Herman Von Rompuy shprehu përkushtimin e BE-së për perspektiven evropiane të Kosovës, përderisa shtoi se do të vazhdohet me prezencë edhe më të fuqishme të EULEX-it në Kosovë.

Ndërkaq, presidentja Atifete Jahjaga kërkoi nga BE-ja që të bëjë më shumë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe ne kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian që të gjejnë mekanizmat për të monitoruar dhe garantuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Jahjaga, njofton Rtk.

Ajo tha më tej se Kosova pret që Serbia t’i normalizojë marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën, ngase ky është një faktor paqeje që do të ndikojë drejtpërdrejt në eliminimin e strukturave kriminale që vazhdojnë ta mbajnë peng integrimin e tri komunave veriore të Kosovës. Jahjaga tha se institucionet e Kosovës po vazhdojnë me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha obligimet dhe të përshpejtojnë të gjitha procedurat që dalin nga ato”, tha Jahjaga

Lajme të ngjashme

Back to top button