Zgjedhjet në Malin e Zi fitohen nga partia e Gjukanoviçit. Shqiptarët, rezultate të dobëta

Partitë shqiptare nuk arritën rezultate të kënaqshme në zgjedhjet lokale të mbajtura një ditë më parë në 11 komuna të Malit të Zi.

Të dhënat paraprake tregojnë se, shqiptarët nuk do të kenë asnjë përfaqësues në kuvendet vendore të Tivarit dhe Rozhajës, e do të kenë vetëm nga një të tillë në Podgoricë dhe Plavë, transmeton Top Channel. 

Në kryeqytetin malazez, fitorja absolute i takoi partisë në pushtet “DPS” të Milo Gjukanoviçit, me 32 këshilltarë nga 61 që ka gjithsej Kuvendi.

Në këtë komunë, subjektet shqiptare do të përfaqësohen nga “Alternativa shqiptare”, e cila arriti të marrë 1.8% të votave. Po asaj i takon edhe vendi i siguruar në Plavë. “DPS”-ja korri sukses edhe në Tivar, së bashku me socialdemokratët, ndërsa koalicioni “Shqiptarët për Tivarin” nuk mori veçse 0.8% të votave, gjë që nuk ishte e mjaftueshme për t’u përfaqësuar në këshillin vendor të qytetit.

Në Rozhajë, subjektet shqiptare nuk konkurruan fare. Fitoren atje e rrëmbeu Partia Boshnjake, me mbi 50% të votave. Në shumicën e komunave, “DPS”-ja e Gjukanoviçit tregoi një performancë të përmirësuar ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2014.

Rezultati i së dielës, sipas kësaj partie konfirmoi edhe njëherë dominimin e saj në skenën politike të vendit, por edhe angazhimin e elektoratit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button