Klopp për Salah dhe agjërimin: Zgjedhja e tij personale

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp në prag të ndeshjes kundër Real Madridit në një konferencë për mediat deklaroi se është shumë krenar me lojtarët tij që kanë rastin të luajnë në finale, raporton Anadolu Agency (AA).

“Më shumë isha i emocionuar në vitin 2013 kundër Bayernit të Mynihut se tani. Por, lojtarët e mi kanë luftuar për finalen në Kiev dhe jam shumë krenar me ta”, ka thënë Klopp.

Ai shtoi se pothuaj se askush nuk ka pritur që Liverpooli të luajë në finale.

“Askush s’ka pritur se do të arrinim në finale, por ne jemi këtu, se ne jemi Liverpooli, jo vetëm një ekip i mirë. Do të përpiqemi t’ua vështirësojmë ndeshjen aq sa mundemi”, ka thënë Klopp.

Në pyetjen e gazetarëve rreth asaj se nëse në të vërtetë ylli i Liverpoolit Mohamed Salah do të agjërojë ditën e ballafaqimit në finalen e Ligës së Kampionëve, Klopp tha se kjo është një çështje e tij personale.

“Ky është një vendim i tij personal. Në stërvitje mund ta shihni se si ndihet. Ai është në formë të shkëlqyer, është përgatitur shumë mirë edhe për finale”, thotë Klopp.

Në ndërkohë, fizoterapeuti i klubit Ruben Pons deklaroi se Salah megjithatë nuk do të agjërojë në ditën kur do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve kundër Realit.

Lojtari i Liverpoolit Jordan Handerson theksoi se të gjithë në klub fuqishëm dëshirojnë të fitojnë titullin.

“Kemi përvojë të mjaftueshme për diçka të tillë. Nga e kaluara kemi mësuar shumë dhe kemi motivimin e mjaftueshëm të fitojmë”, ka thënë Handerson.

Trajneri i Realit, Zinedine Zidane në konferencë tha se ekipi i tij nuk është favorit në finale me Liverpoolin.

“Jo, nuk jemi favorit. Mund të bisedojmë rreth kësaj, por ne e dimë se kjo nuk është kështu. Në zhveshtoren tonë aspak nuk mendojmë kështu. Nuk jemi as ne favorit, e as Liverpooli, gjasat janë 50:50. Për të fituar këtë ndeshje duhet të luajmë shumë mirë”, ka thënë Zidane.

Ai shtoi se është e rëndësisheme që në ekip askush nuk është i lënduar, duke theksuar se portugezi Cristiano Ronaldo është në formë të mirë.

Mbrojtësi i Real Madridit Sergio Ramos, i pyetur për cilësinë e lojtarit të Liverpoolit Salah, tha se ai është një lojtar superior i cili u dëshmua në sezonin e kaluar.

Real Madridi dhe Liverpooli sonte do të masin forcat në finalen e Ligës së Kampionëve, që do të jetë ballafaqimi i gjashtë mes dy klubeve.

Finalja e garës më të madhe të klubeve do të luhet sonte në stadiumin Olimpik në Kiev me fillim në ora 20:45. Drejtësinë në ndeshje do ta ndajë arbitri serb Milorad Mazhiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button