Homazh në 172-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit

Frashërin, këtë shkollë të madhe të patriotizmit në shekuj, duhet ta ruajmë dhe dhe kemi mundësi që ta zhvillojmë.

Njëqind e shtatëdhjetë e dy vite më parë, më 25 maj 1846 Shqipërisë i lindi një yll, që ndër shekuj ndriçon gjithnjë e më shumë, lindi Naim Frashëri, për të cilin poeti i madh Andon Zako Çajupi shkroi “…vjershëtori si ai…”, ndërsa populli e quan Naim Shqipëria. Luftëtari dhe shkrimtari Mihal Grameno, më 1907, ka shkruar: “Kur u ngjitmë në mal të Kokojkës mbi Frashër, i kam dedikuar këtë vjershë:

Si ty o Vithlehem e Mek’e Arabisë

Ku janë lindur Muhamet e Krishti i Krishterisë

Për mua është Frashëri vënd i Perëndisë

Tek është lindur Naim Beu zemr’e Shqipërisë”!

Ai i shkroi këto vargje, se Frashëri është vendlindja e vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Sami Frashërit, e rilindësve të mëdhenj të Shqipërisë. Ata lindën në kohë të vështira për Atdheun, në kohë të errëta, por shpejt ndriçuan për t’i treguar rrugën që duhet të ecë shqiptari, që të çlirohet dhe përparojë. Por ata nuk ishin vetëm vëllezër, u bënë edhe bashkëluftëtarë për lirinë e Shqipërisë, duke qenë në ballë të Rilindjes Kombëtare, së toku me luftëtarët e pushkës dhe të penës, që sollën pavarësinë, që shkrinë jetën e tyre dhe pasurinë për të bërë Shqipërinë. Shqiptarët, në të gjithë hapësirën ku jetojnë, së toku me abc-në mësuan edhe vargjet flamur të Naimit:

“Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin shqiptar

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr…

Ata e ngritën Frashërin në piedestal, i dhanë vlerën e lapidarit, e bënë vend të shenjtë për Shqipërisë. Frashëri u bë vatra rrezatuese e atdhedashurisë dhe e shqiptarizmit ndër breza, deri në ditët tona. Ne sot nderojmë dhe përulemi me respekt të madh ndaj atyre, që me luftën dhe punën e tyre u rrënjosën shqiptarëve ndjenjën e shqiptarisë, nën shembullin personal u treguan se si duhet të luftonin për Shqipërinë, për liri e pavarësi dhe si duhet të ndërtonin shtetin shqiptar. U mësuan gjuhën shqipe, sa të ëmbël e sa të dëlirë, gjuhën e Naimit të Madh që flasim e shkruajmë ne sot. Tregojnë, se që kur ishte i vogël, Naimi dilte tek një gur në Frashër, sodiste natyrën dhe thurte vargje për të. Ai u bë vjershëtor dhe universi poetik i Naimit është jashtëzakonisht i madh. Ai ishte mësues, jo vetëm për fëmijët shkollarë por edhe për burrat trima të pushkës, mësues i popullit. Ai thuri vargje dhe shkroi për natyrën dhe njerinë, por mbi të gjitha i këndoi Atdheut dhe përpjekjeve, luftës që duhet të bënte shqiptari që të çlirohej nga robëria, që të përparonte. Ai u rreshtua në vijën e parë të luftës për liri dhe përparim të Rilindësve, së toku më vëllezërit e tij. Frashëri u bë qendër e rilindësve të mëdhenj të Shqipërisë. Frashëri ka fillesën të paktën në shekullin XV dhe në fundin e viteve ’30-të të shekullit XIX në Frashër ishte vendosur një Mydir dhe një Kadi, qeveritarë për gjithë krahinën e Dangëllisë. Shkolla shqipe në Frashër u hap, më 12 tetor 1908, por shqipja mësohej shumë më parë, qysh në shekullin XVIII. Porosia e Halit Frashërit, babait të vëllezërve Frashëri, për shkollimin e fëmijëve si domosdoshmëri për të bërë Shqipërinë, u përvetësua më mirë se kudo nga frashërllinjtë dhe kjo solli dhe bëri dukurinë unikale të Frashërit, e njohur si “Dukuria e Frashërit”, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Ne nuk dimë ndonjë vend tjetër, që nga një fshat, të kenë dalë 4 akademikë, 15 profesorë, 35 doktorë shkencash, mësues, inxhinierë, mjekë, artistë e sportistë siç kanë dalë nga Frashëri, pa bërë fjalë për shtetarët. Kontributi i Frashërllinjve është vlerësuar nga shteti dhe shoqëria dhe, për këtë mjafton të kujtojmë se vetëm në Tiranë, 6 rrugë mbajnë emrat e Abdylit, Naimit, Samiut, Mit’hatit, Mehdiut dhe Eshref Frashërit. Më 6 maj 1914, bandat e andartëve dogjën 318 shtëpitë e Frashërit dhe lanë pa strehë 1120 banorë, duke shfryrë tërë urrejtjen e tyre mbi këtë vatër të atdhedashurisë, mbi këtë fshat që lindi pishtarët e dritës, kulturës, arsimit dhe lirisë së Shqipërisë. Por Frashëri përsëri u ribë. Më 1923 krahina e Frashërit kishte 21 fshatra me 568 shtëpi dhe vetë Frashëri kishte 42 shtëpi me 276 banorë, ndërsa mbas çlirimit, më 1985, Frashëri, si kryeqendër e Dangëllisë kishte 592 banorë dhe ishte me shkollë tetëvjeçare, me shkollë të mesme bujqësore, me spital e maternitet, me farmaci, dyqane, me Shtëpinë Muze “Vëllezërit Frashëri”. Në vitet e tranzicionit, erdhi edhe zbrazja e Frashërit, si edhe e fshatrave të Dangëllisë. Janë vërejtur dhe po vazhdon të vërehen në Shqipëri dukuri negative e me pasoja të rënda kombëtare: ikin njerëzit nga sytë këmbët, prishen e nuk mirëmbahen muzetë, monumente të kulturës dhe të historisë, është e pranishme prirja që, nga shumë medie të shkruara dhe aq më tepër elektronike, komuniteti i biznesit dhe politikanë, të futen fjalë e emra në gjuhë të huaja midis fjalëve të pakta shqip që thonë, sulmi i pa principtë dhe joshkencor ndaj gjuhës shqipe letrare e drejtshkrimit shqip. Këto dukuri duhet të na japin alarmin: një komb që nuk ruan historinë dhe gjuhën e tij është i paracaktuar të vdesë. E shkatërroi muzeun viti i mallkuar 1997. Analiza e gjendjes në Shqipëri më krijon mundësinë të kuptoj edhe një dukuri tjetër: Për fat të keq, mësimet e Rilindësve gjithnjë e më pak po kujtohen sot, përfshirë edhe ato të Vëllezërve Frashëri. Madje nga Hyrja e Muzeut është hequr edhe një poster me këshillat e Samiut:

  • “Jemi shqiptarë dhe jo turq e kaurë;
  • Fetë i për çajnë popujt;
  • Shqiptarët duhet të duan njëri tjetrin, të kemi vëllazërinë në mes;
  • Shqipëria është një dhe e pa ndarë;
  • Duhet të jemi të bashkuar, bashkimi duhet të futet na gjakun e secilit;
  • S’ka në jetë më i lik njeri se tradhtari i kombit dhe i mëmëdheut;
  • M’i dashur se kombi, m’i dashur se mëmëdheu, më e ëmbël se gjuha e tij, s’ka gjë tjetër për njeriun;
  • Një njeri sado të mira të ketë për veten e ti s’mund të jetë fatbardhë po ti ketë kombin dhe mëmëdheun e vetë të zi;
  • Të hiqet Turqia dhe të vijë një sundues tjetër është sikur një shtazë të ndërrojë samarin dhe jo lirinë”.

Kjo, sepse ç’është bërë deri më sot shpesh bien ndesh me porositë e tyre, shkojnë në të kundërt. Është kjo arsyeja edhe pse gjatë këtyre 22 vjetëve të tranzicionit nuk ka shkelur në Frashër asnjë ministër, qoftë edhe i kulturës për të marrë pjesë në veprimtaritë e përvitshme atdhetare-kulturore dhe shkencore që zhvillohen atje, megjithëse krenohen kur vënë në gjoks urdhrin “Naim Frashëri”. Organet kompetente hoqën edhe rojën e Shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri, duke e lënë atë pa mbrojtje si shumë monumente kulture të tjera, përfshirë si dihet edhe shtëpinë muze të At Gjergj Fishtës, e cila në përgjithësi nuk është ngritur, e Vaso Pashës etj. U gjetën fonde për mijëra kilometra rrugë nëpër Shqipëri, por nuk u kujtua Ministria e Kulturës dhe jo vetëm ajo, të rregullonte 20 km e rrugës së Frashërit. Por Frashërin nuk e zhbënë as luftërat dhe as masakrat e pushtuesve, ndaj nuk ka asnjë logjikë ta zhbëjë liria dhe demokracia. Frashëri, i Vëllezërve Frashëri dhe i shumë ngjarjeve dhe figurave me kontribute të veçanta për lirinë e atdheut, Frashëri i bukurive natyrore, pranë të cilit lartësohet Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës”, një nga parqet më të bukura të Ballkanit, Frashëri, selia e Kuvendeve Shqiptare Ndërkrahinore të Vilajetit të Janinës, në pragun dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është një monument i madh historik, kulturor dhe turistik i Shqipërisë. Frashëri i ka dhënë shumë dhe e ka nderuar Shqipërinë, ndaj edhe sot Shqipëria duhet ta vlerësojë dhe lartësojë Frashërin, vendin ku lindën dhe u rritën e Abdyli, Naimi dhe Samiu, Frashërin si kryeqendër të Dangëllisë së rrethit të Përmetit. Historia e njerëzimit ka treguar se qytetet, fshatrat krijohen, lulëzojnë dhe në shekuj, madje edhe në më pak kohë, braktisen dhe shndërrohen në rrënoja. Kështu ka ndodhur me qytetet nga më të lashtët edhe në Shqipëri, me Butrintin, Apoloninë, Antigonenë etj. Ndryshojnë kushtet e jetesës, të rrugëve, të burimeve natyrore, kushtet historike dhe ndodh mërgimi i banorëve të tyre drejt vendeve të tjera. Krijohen qytete dhe fshatra të rinj. Dhe kështu vazhdon jeta e shoqërisë njerëzore. Dhe qytetet e vjetër shndërrohen në rrënoja, sepse shtëpinë e mbajnë më këmbë të zotët. Largohen ata, shembet edhe shtëpia. Dhe nuk i vete njeriut normal në mendje që të mbajë të ngritur qytete e fshatra të zbrazët e pa njerëz. Kjo ka ndodhur edhe me Frashërin. Por edhe këto rrënoja janë monumente të kulturës së popullit dhe kombet e kulturuar i ruajnë me fanatizëm, i mirëmbajnë dhe i shndërrojnë në qendra turistike, madje më të shquarat i bëjnë vende pelegrinazhi. Dhe kjo bëhet që kombi të mbetet gjallë dhe të jetojë në shekuj e mijëvjeçarë. Dhe në këtë sërë, bëjnë pjesë edhe muzetë dhe monumentet e tjera të kulturës dhe të natyrës, të cilët duhen restauruar, mirëmbajtur dhe kthyer edhe në qendra të rëndësishme kulturore. Tani, meqë në Frashër dhe fshatrat e tjera të Dangëllisë ka shumë pak banorë, u shkri Komuna e Frashërit, Komuna FRASHËR që duhet të ruhej si monument historik, sepse është Komunë shqiptare qysh nga koha e Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të. T’i harrohet emri i Frashërit e së toku me të edhe i Vëllezërve Frashëri dhe mësimet e tyre për Shqipërinë, duan disa. Këtë deshën edhe andartët grekë, më 6 maj 1914-s kur dogjën shtëpitë në Frashër. Dhe kjo nuk është vetëm tronditëse, është vrasja e atdheut! Por jam i bindur se nga institucionet shtetërore përkatëse problemi u trajtua përciptas, pa u thelluar në pasojat. Kishte zgjidhje ky problem, e që iu bë e ditur institucionit përkatës: Komuna e Frashërit nuk mund të mbetej ashtu siç ishte. Ajo mund të bashkohet me komuna të tjera fqinjë. Edhe qendra e komunës le të vendosej në një fshat që ndodhet buzë rrugëve automobilistike për të lehtësuar edhe nevojat e banorëve, por nuk është e thënë që të ndërrohej emri i saj, le të ruhej emërtimi KOMUNA FRASHËR dhe besoni, nuk është një formalitet. Komunat kanë historikun e tyre, ato janë dëshmi e historisë së Shqipërisë.

Shkruan: Prof. Dr. Alfred Frashëri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button