Bota e letrave qan vdekjen e Philip Rothit

“Të hidhëruar dhe të mallëngjyer…”

Kështu shprehet bota letrare për lajmin e vdekjes së Philip Rothit në të gjitha rrjetet sociale ku shkrimtarë, kritikë dhe lexues shprehën ngushëllimet dhe e kujtuan autorin 85 vjeçar amerikan.

E para që u shpreh ishte autorja Joyce Carol Oates, që ishte e lidhur me Rothin, ajo ndau me publikun një intervistë që bëri bashkë me autorin në vitin 1974.

“Ishim shumë të rinj atëherë, por Philip kishte një sasi të konsiderueshme punësh. Unë e kuptova që ishim shpirtra binjakë kur pashë që në murin e dhomës së shkrimit mbante Franc Kafkën, një foto identike me atë që mbaja unë. U prehtë në paqe”!

Autori tjetër që shprehu keqardhje në gazetën britanike “The Guardian” ishte Jonathan Safran Foer, i cili sinjalizoi se ndikimi i Roth është i krahasueshëm me autorë amerikanë të përmasave të Herman Melville dhe Emily Dickinson, shkruan bota.al.

“Nëse do të kem nipër shpresoj që t’i lexojnë dhe që jetët e tyre të formësohen nga fjalët e tij ashtu siç ndodhi me timen. Ai ishte heroi im”!

Shkrimtarja dhe mikja personale e Rothit, Anne Margaret Daniel u shpreh për ndikimin e tij dhe se asnjë autor amerikan nuk kishte njohje më të pasur mbi historinë e vendit. Autorja sugjeroi se vepra e Rothit duhet të jetë pjesë e studimit të historisë amerikane të shek XX.

Një tjetër përfaqësues i letërsisë ishte edhe Gary Shteyngart: “Nuk do të ketë asnjë si ai”.

Gazeta La Reppublica e përshkruan autorin si një shkrimtar me shpirt hebre që rrëfeu Amerikën.

Autori spanjoll Juan Cruz tha se amerikani ishte shkrimtari që pushoi së shkruari kur i deshi qefi.

The New York Times e përshkruan veprën e Rothit si imponuese dhe thotë se vepra e tij eksploron si askush tjetër epshin, judaizmin dhe Amerikën.

The Washington Post rrëfen mbi ndikimin që provokoi një nga romanet e tij më të njohur “Ankimi i Portnoit”, i cili skandalizoi dhe ndryshoi për gjithmonë letërsinë amerikane.

Gazetarja e francezes Le Monde, Josyane Sauvigneau, e cila ishte mike e afërt me autorin dhe që e kishte intervistuar shumë herë përgjatë karrierës së tij u shpreh: “Thonë se Philip Roth ka vdekur. Me siguri është gënjeshtër. Duhet të ketë çuar në varr ndonjë nga dublantët e tij”.

“Nathan Zuckerman dhe David Kepesh janë të gjallë përgjithmonë në romanet e tij dhe aventura e bukur në Newark (New Jersey) filloi në 19 mars 1933 dhe përfundoi këtë të martë në 22 maj, në New York”, publikoi prestigjiozja e letërsisë kritike Livre Francais.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button