Komisionet hetimore që nuk hetojnë asgjë

Komisionet hetimore parlamentare të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë prodhuar asnjë rezultat deri më tani. Kuvendi ka formuar apo është në procedurën e themelimit të shumë komisioneve, përfshirë atij për hetimet rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turqnga Kosova, pastaj Komisioni hetimor për ish-Shërbimin Informativ të Kosovës i njohur si SHIK, ai për demarkacionin, Komisioni hetimor për shpenzimet buxhetor rreth lobimit dhe Komisioni hetimor lidhur me dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të gjitha këto komisione kanë mbetur si nisma apo edhe në rastet kur është aprovuar themelimi, siç është Komisioni për hetimet rreth dëbimit të shtetasve turq, nuk është arritur edhe funksionalizimi i tij.

Deputetët e partive politike në pushtet, akuzojnë ata të opozitës se po lansojnë ide për komisione hetimore, vetëm për nevoja të politikës ditore. Kurse, ata të partive opozitare thonë se komisionet po pengohen, qoftë të formohen apo të funksionalizohen me qëllim nga partitë e koalicionit.

Sala Berisha – Shala, deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radio Evropa e Lirë se është e pasinqertë nga ana e deputetëve të shpenzohet energji për ide e propozime për komisione hetimore derisa vetë ata nuk i kryejnë punët e tyre, të parapara edhe me rregulloren e punës.

“Prapa kësaj qëndron efekti i propagandës politike, marketingu, konsumi politik i grupeve parlamentare. Aspak nuk ka sinqeritet. Deputetët duhet të kuptojnë se detyra e tyre, besimin që kanë marrë nga qytetarët është me të vërtetë që të punohet. Fushatat e propagandat poetike e kanë një kohë të caktuar. Nuk duhet të keqpërdoret as ligji që është i paraparë për komisionet hetimore, e as puna në Kuvend që të bëhet propagandë”, tha Berisha – Shala.

Deputetja Berisha – Shala tha, po ashtu, se në Kuvendin e Kosovës ka shumë komisione, të cilat po të punonin siç duhet, nuk do të kishte nevojë as për këto propozime e ide që nuk realizohen kurrë deri në fund.

Kurse, deputeti Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se shumica e komisioneve hetimore që janë propozuar nga deputetët, po pengohen nga partitë politike në pushtet.

Sipas tij, nismat dhe idetë për formimin e komisioneve të ndryshme hetimore ndonjëherë nuk kanë pasur ndonjë ndikim në zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Sipas Zemajt, lansimi i ideve për komisione duhet të ketë një bazë të fortë dhe arsyetim.

“Po flas me kompetencë për dy komisionet që janë iniciuar nga LDK-ja, shihet se ka një tentim për anashkalim, ikje nga përgjegjësia dhe kjo lidhet direkt me njerëzit që janë aktualisht në koalicionin qeverisës. Kjo tregon se diçka fshihet pas këtyre dy dyshimeve që ne kemi si dy raste të ndara, e para me keqpërdorime të kompetencave dhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha, sigurisë nacionale dhe ajo me keqpërdorimin e parasë publike”, u shpreh Zemaj.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha për Radion Evropa e Lirë, se kohëve të fundin për mungesë të kuorumit ka pasur ngecje në formimin e komisioneve hetimore.

“E vetmja mundësi e pushtetit që të parandalojë krijimin e komisioneve hetimore parlamentare është nëse ata e bojkotojnë kuorumin. Përndryshe, themelimin nuk mund ta ndalojnë, sepse themelimi i komisionit bëhet fakt i kryer me 40 nënshkrime, kurse opozita i ka më shumë se 40 nënshkrime. Kështu që, mund të themelojë çfarëdo komisioni që dëshiron”, theksoiKonjufca.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë vlerësoi se krejt debatet dhe deklaratat që janë bërë në Kuvend për komisione hetimore janë bërë për përfitime politike dhe se, sipas tij, asgjë konkrete nuk ka në praktikë.

“Ajo çka po vërehet prej këtij debatit për komisione parlamentare hetimore është se, pikë së pari nuk ka një koordinim edhe bashkëpunim mes grupeve parlamentare për ta ekzekutuar një ide për hetim të një çështjeje të caktuar dhe nuk ka plan konkret se çka të hetohet apo si të hetohet”.

“Dyshoj edhe në qëllimin e subjekteve politike se me të vërtetë duan ta bëjnë atë hetim. Më tepër po duket si një mekanizëm ose një lloj kërcënimi për të tingëlluar mirë para qytetarëve, sepse po shihet se Kuvendi nuk është duke funksionuar mirë dhe nuk ka rezultate të mira”, vlerësoi Murati.

Sipas ligjit, komisionet themelohen për të hetuar probleme, çështje ku janë drejtpërsëdrejti të përfshira përgjegjësitë qeveritare apo shtetërore. Po ashtu, ato themelohen me qëllim të konstatimit, përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve apo me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur dhe përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të përfshirë.

Po ashtu, ligji parasheh që komisioni themelohet me qëllim edhe të informimit, rekomandimit, ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare dhe të arritjes së një përfundimi dhe ato funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara me këtë ligj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button