Italia kërkon paratë nga projekti i parealizuar

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Nevzat Bejta e priti në një takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Maqedoni, Fabio Cristiani. Gjatë këtij takimi kryesisht u bisedua për një donacion të Qeverisë së Republikës së Italisë për Projektin “Radika”, me qëllim të mbrojtjes së ambientit jetësor përgjatë lumit “Radika”. 

Marrëveshja është nënshkruar në nëntor të vitit 2002, në mes të dy qeverive në vlerë prej 6.8 milion euro dhe e njëjta është dashur të kryhet në afat kohor prej dy vitesh. Në bazë të marrëveshjes bilaterale, implementues është Byroja për Zhvillim Rajonal e cila gjatë kohës ka dhënë përkrahje logjistike dhe i tërë personeli i projektit ka qenë i vendosur në hapësirat e Byrosë. 

Projekti është realizuar në katër komponenta, ndërtimin e gjashtë stacioneve pastruese të ujërave të zeza në gjashtë vendbanime, të Komunës së Mavrovës – Rostushës, ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në shtatë vendbanime të Komunës së Mavrovë – Rostushës, ndërtimin e deponisë dhe blerja e pajisjeve në Komunën Qendër Zhupë dhe edukimin dhe sensibilizimin e popullatës. 

Nga të gjitha aktivitet e parapara, deri më sot nuk ka filluar ndërtimi i deponisë në Qendrën Zhupë dhe nuk janë kryer 9 kilometra të rrjetit të kanalizimit.  

Për të gjitha këto aktivitete, janë harxhuar 5 milion e 184 mijë euro nga shuma e përgjithshme. 
Me marrëveshjen bilaterale, projekti “Radika” është dashur të mbaroje për dy vite. Mirëpo, për shkak të problemeve në terren dhe problemeve të natyrave tjera, ky projekt ka zgjatur deri më 1 dhjetor 2009, kur Qeveria Italiane në mënyrë të njëanshme marrëveshjen me kërkesë që mjetet e pashfrytëzuara me vlerë prej 1 milion e 646 mijë euro, t’i kthehen palës italiane. 

Ambasadori, Fabio Cristiani edhe në takimin me ministrin Bejta, tha se mjetet e pashfrytëzuara nga projekti “Radika”, t’i kthehen qeverisë së Italisë. Si çështje tjetër, ai e ngriti edhe mënyrën se si janë shfrytëzuar 2 milion e 200 mijë euro në projektin e lartpërmendur, ku sipas analizave që i kanë bërë ekspertët italian, këto mjete nuk janë realizuar ashtu siç është e paraparë në projekt. 

Ndërkaq, ministri Nevzat Bejta, tha se kjo çështje është diskutuar më herët në qeveri dhe se sërish do ta hap për t’u zgjidhur. 

“Me herët Qeveria solli konkluzion që të formohet një grup ekspertësh për të bërë analizë për mjetet e shpenzuara të projektit dhe për vlerësim për mjetet që nevojiten për përfundimin e projektit. Këtë çështje sërish do ngrejë në qeveri dhe do ta informoj edhe kryeministrin. Unë jam për atë që t’i kthehen mjetet qeverisë italiane dhe të del e vërteta në sipërfaqe. Ata që kanë bërë keqpërdorime të mbajnë përgjegjësi”, tha ministri Bejta. Ai tha se për këtë çështje do të bisedoj edhe me kryetarin e Komunës së Mavrovës – Rostushës, gjatë takimit që do ta realizoj së shpejti. 

Ministri Bejta dhe ambasadori Cristiani, biseduan edhe për vendosjen e bashkëpunimit dhe për bartjen e përvojave të shtetit italian në Republikën e Maqedonisë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button