MBI TË VËRTETËN DHE HIPOKRIZINË

Ai që pyet skuqet vetëm një herë, kurse ai që nuk pyet skuqet përherë, thonë japonezët. Princat tanë as nuk pyesin dhe as nuk skuqen. Princat tanë e mbrojnë, me ngulm, edhe gabimin e bërë. Kush nuk e miraton gabimin e princit shpallet qenie inferiore. Princi ynë e çmon vetëm intelektualin partiak, i cili, nëse i referohemi Havelit, nuk i parashikon kërcënimet, tmerret dhe katastrofat e ndryshme; as nuk e paralajmëron politikanin për rreziqet dhe për mënyrat e përballimit dhe shmangies së tyre.

Intelektuali partiak e thotë atë që dëshiron ta dëgjojë lideri. Ai ka frikë ta kundërshtojë dhe ta korrigjojë liderin. Ai nuk është “eminenca gri”, që ndjen përgjegjësi për rendin shoqëror. Intelektuali partiak është shërbëtor i partisë dhe i pushtetit. Ai është shumëfishuesi i mashtrimit, demonizuesi i së vërtetës, njeriu me mungesë etike. Ai vepron brenda sistemit dhe nuk del përtej kuadrateve të tij. Ai ka vetëdije glorifikuese, është “inxhinier i shpirtit”, është në shërbim të partisë dhe të ideologjisë dhe jo të së vërtetës. Ai është i dëgjueshëm, mundësisht prej ndonjë familje që i ka shërbyer çdo pushteti. Ai jeton nëpërmjet maskës.

Intelektuali partiak është materialist praktik. Ai dëshiron të jetë pranë hyjnive të Olimpit, sepse i interesojnë privilegjet. Ai punon për kauzën personale, që dëshiron ta shesë si kauzë të përgjithshme. Për shërbimet e tij ai privilegjohet, avancohet, nderohet, shpërblehet, mbiçmohet.

Intelektuali i vërtetë është kritik ndaj shoqërisë, ndaj regjimit, ndaj shtresës udhëheqëse. Ai jeton për të vërtetën, për të drejtën, për të mirën dhe dijet ua përcjell të tjerëve. Për të jeta intelektuale nuk është profesion, por ftesë, siç thotë një mendimtar.

Intelektuali i vërtetë ka arsimim dhe kulturë të lartë. Ai është lartësues i vlerave shpirtërore. Ai është njeri i mendimit, shpirt i lirë, i përgjegjshëm, i ndershëm, human, i guximshëm, kreativ, me sens për kohën e tij.

Intelektuali i vërtetë, sikurse thotë Tismaneau, nuk tenton ta zëvendësojë, por ta korrigjojë princin. Ai është mbrojtës i lirisë, i frymës kritike dhe i dyshimit. Ai thirret në përvoja të ndryshme: historike, kulturore, sociologjike, psikologjike, antropologjike, për ta njohur dhe pastaj për të dhënë formula se si të ndryshohet realiteti. Ai ka ndjenjë për jetën e përbashkët, angazhohet për shtet të së drejtës, për liri mendimi dhe grupimi.

Intelektuali partiak mund të jetë e mira e familjes së tij, por assesi nuk mund të jetë e mira e shoqërisë.

Leka i madh kishte këshilltarë dy miqtë e tij. Njëri i shkonte për qejfi, kurse tjetri ja thoshte të vërtetën. Leka tha se njëri e donte mbretin, kurse tjetri e donte Lekën. Ose: Kur Diogjeni ja tha thënien e famshme: “Largohu pak, se më ke zënë Diellin”, servilët filluan të qeshnin me filozofin cinik. Leka, ky nxënës i Aristotelit, ua ktheu: “Po të mos isha Leka, do të doja të isha Diogjeni”. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button